TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Qershor 2026, 12:23

Policia Rrugore shton kontrollet në akset turistike, monitorim me kamera dhe radarë

Shkruar nga Pamfleti

Policia Rrugore shton kontrollet në akset turistike, monitorim me kamera

Policia Rrugore ka shtuar masat e kontrollit dhe monitorimit në rrugët kryesore të vendit, veçanërisht në akset që lidhin qytetet me zonat turistike, ku gjatë sezonit veror pritet një rritje e ndjeshme e fluksit të automjeteve.

Në kuadër të këtyre masave, autoritetet po përdorin radarë, kamera inteligjente dhe pajisje të tjera teknologjike për evidentimin e shkeljeve që rrezikojnë sigurinë rrugore dhe për parandalimin e aksidenteve.

Shefi i Sektorit të Sigurisë Rrugore, Ledian Kerka, në një intervistë për Ora News, bëri të ditur se vëmendje e veçantë do t’u kushtohet akseve me qarkullim të lartë, kryesisht atyre që të çojnë drejt destinacioneve turistike.

Sipas Kerkës, shtimi i patrullave në terren dhe monitorimi i vazhdueshëm i trafikut do të mundësojnë ndërhyrje të shpejtë në rast bllokimesh, aksidentesh apo situatash të tjera që mund të ndikojnë në lëvizjen normale të mjeteve.

Policia paralajmëron se gjatë sezonit veror nuk do të ketë tolerancë për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor. Tejkalimi i shpejtësisë, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, parakalimet e gabuara dhe manovrat e rrezikshme do të ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi.

Kerka theksoi se siguria rrugore është një përgjegjësi e përbashkët dhe u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit për të shmangur aksidentet gjatë muajve të verës.

 

policia rrugore masa kontrolle

Lini një Përgjigje