
Përmbytjet e fundit në Lezhë dhe Kurbin nga të cilat u shkaktuan dëme të konsiderueshme, nxorën në pah problematikat me sistemin e kullimit.
Pavarësisht hapjes së kanaleve përgjatë viteve të fundit, sipas specialistëve të bujqësisë dhe kullimit, nuk janë ndjekur skemat për kullimin, çfarë ka sjellë mos evadim të ujërave.
“Në Shqipëri funksionojnë skemat e kullimit. Këto skema janë unitare dhe nuk mund të cenohen. Çdo ndërhyrje në to gjatë 35 viteve të fundit është bërë pengesë për evadimin e ujit”, tha Preng Marku, Specialist i Bujqësisë dhe Kullimit.
Preng Marku, thotë se autoritetet përgjegjëse duhet të lënë propagandën, por të veprojnë me plane konkrete për të shmangur përmbytjet.
“Ka vite të tëra që nuk ka topograf që nuk matin se sa është nevoja për gërmim në të gjithë rrjetin kullues. Njerëzit që janë kompetent të lënë propagandën, por të angazhojnë topografët, të nxjerrin volumet dhe kuotat e gërmimeve”, u shpreh ai për “Report Tv”.
Si zgjidhje për të shmangur përmbytjet në Kurbin Gjergj Çuli, specialist i kullimit, sugjeron vendosjen e pompave të reja me kapacitet më të lartë, si dhe mbajtjen nën monitorim të vazhdueshëm të kanaleve kulluese, të cilat bllokohen nga mbetjet duke mos kryer funksionin në kohë.
“Mbeturinat janë problem i vazhdueshëm. Për këtë duhet një studim i kujdesshëm. Duhet me sjell punëtor, dikur angazhoheshin brigada. Po ashtu, duhen zëvendësuar pompat e vitit 1961. Nga 4 që janë aktualisht me 10 litër në sekondë të vendos dy pompa 10 metër kub në sekondë dhe me 20 metër kub në sekondë e zgjidh përfundimisht problemin e përmbytjeve në këtë zonë”, tha Gjergj Çuli, specialist Kullimi.
Lezha dhe Kurbini ishin ndër zonat më të prekura nga reshjet intensive të shiut gjatë këtij fillim viti. Si pasoje e vërshimi i ujërave u përmbytem mbi 4500 hektarë tokë bujqësore dhe afro 300 banesa, duke shkaktuar dëme të shumta dhe vështirësi për banorët.
Lini një Përgjigje