
Pas dorëheqjes së Ermal Onuzit, është emëruar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës.
Pas dorëheqjes së Ermal Onuzit, me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Simon Zereci, me gradën Drejtues i Lartë dhe funksion Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, është caktuar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës.
Simon Zereci që prej vitit 2013 ka mbajtur funksionin e rëndësishëm të Komandantit të Njësisë Speciale në Gardën e Republikës.
Kujtojmë se më 3 qershor të këtij viti është dorëhur nga detyra Komandanti i Gardës së Republikës, Ermal Onuzi.
Onuzi e ka dorëzuar dorëheqjen vetëm 9 muaj pasi u emërua në këtë detyrë. Motivacioni dhe shkaqet e këtij largimi nuk dihen ende. Onuzi u emërua në këtë detyrë më 10 shtator të vitit 2024.
Onuzi zëvendësoi në detyrë ish-drejtorin e Gardës, Gramos Sako, që e mbajti postin për 10 vite. Për pak kohë i komanduar qëndroi në detyrë edhe Sami Kuti.
Kush është Simon Zereci
Simon Zereci ka përfunduar shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” dhe më pas ka ndjekur studimet e larta në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, në specialitetin “Gjithëarmësh”.
Karrierën ushtarake e nisi në vitin 1986 në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, fillimisht si Komandant Toge në Repartin Ushtarak Zadrimë, më pas si Shef Stërvitjeje e të tjerë. Në vitin 1988 iu bashkua Gardës së Republikës, ku shërbeu në një sërë funksionesh, si: Komandant Toge; Specialist për Ruajtjen Fizike në Drejtorinë e Sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore; Komanant Toge në Kompaninë Operative; Zëvendëskomandant i Kompanisë Operative; Përgjegjës i grupit të shoqërimit të Ministrit të Rendit Publik; Oficer shoqërues pranë Zyrës për Mbrojtjen e Personaliteteve; Shoqërues në grupin mbështetës në Degën e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore; Komandant Grupi në Njësinë Speciale; e të tjerë.
Gjatë karrierës së tij të gjatë ushtarake, është dalluar për përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë, duke rrezikuar edhe jetën në krye të detyrës. Në shtator të vitit 1998 është plagosur gjatë shërbimit, teksa mbante funksionin e Zëvendëskomandantit të Kompanisë Operative.
Zereci ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit në fushën e sigurisë, si: kurs për mbrojtjen e personaliteteve (VIP) në Egjipt; trajnim për sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore me instruktorë amerikanë; program ndërkombëtar sigurie i zhvilluar nga specialistë të sigurisë amerikane; trajnim në teknikat e avancuara të vetëmbrojtjes “Krav Maga Maor”, e të tjerë.
Në vitin 2020 mori gradën Kolonel, e cila me sistemin e ri të gradave u konvertua në Drejtues i Parë. Ndërsa grada Drejtues i Lartë iu dha kur me urdhër të Ministrit të Brendshëm, u emërua Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Gardës.
Lini një Përgjigje