
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) po zhvillohet seanca e dytë gjyqësore lidhur me padinë për shpifje të ngritur nga ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sula, kundër deputetit Gazment Bardhi.
Ky i fundit nuk ishte i pranishëm në seancë por përfaqësohet nga avokatët e tij, ndërsa ish-drejtori Sula ndodhet në seancë.
Në nisje të seancës avokati i Edmond Sulës u shpreh se klienti i tij nuk kërkon dëmshpërblim por vetëm dënimin e Bardhit, pasi i ka dëmtuar imazhin për shkak të fyerjes së bërë botërisht.
'Deklaroj se tërhiqen nga kerkesa për dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar, por kërkojnë vetëm dënimin e të akuzuarit Gazmend Bardhi për veprat penale të fyerjes dhe shpifjes së bërë botërisht', thotë avokati.
Padia ka si objekt deklaratat e bëra nga Bardhi gjatë një interpelance më 12 shtator 2024, ku ai ngriti akuza se Edmond Sula ishte emëruar nga grupe të strukturuara kriminale dhe u shërbente atyre. Këto deklarata u transmetuan gjerësisht në media dhe, sipas mbrojtjes së Sulës, kanë dëmtuar rëndë karrierën e tij 28-vjeçare në polici, si dhe kanë shkaktuar pasoja negative për familjen e tij.
Lini një Përgjigje