TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Dhjetor 2024, 15:30

Nxënës me thika dhe hashash, drejtori i shkollës ngre alarimin: Prindërit të pashqetësuar!

Shkruar nga Pamfleti

Nxënës me thika dhe hashash, drejtori i shkollës ngre alarimin:

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani dhe plagosja e një tjetër nxënësi në Fier ka ngritur alarmin për mungesën e sigurisë në institucionet arsimore të vendit. Po bëhet shumë zhurmë, por në fakt pak raste denoncohen në prokurori për nxënësit që mbajnë thika apo konsumojnë hashash në ambientet e shkollave. Ky shqetësim u ngrit nga drejtuesja e prokurorisë së Lezhës, Denisa Perdja.

“Ka një rritje të kriminalitetit, sipas statistikave të viteve të mëparshme për çështjet për të mitur, që kanë të bëjnë me tregtimin e lëndëve narkotike, mbajtjen e thikave, dorezave, drejtim mjeti pa patente. E para është parandalimi, shumë pak referime bëhen në prokurori nga policia, drejtuesit e shkollës, punonjësit sociale. Nëse në një shkollë dihet se konsumohet lëndë narkotike, duhet të referohet në polici dhe prokurori”, tha Denisa Perdja, drejtuese e Akuzës.

Zyrtarët lokalë të bashkisë Lezhë thanë se drejtuesit e shkollave duhet të denoncojnë në polici nxënësit problematikë.

“Duhet të evidentohen rastet, kush janë fëmijët problematikë. Çfarë familje kanë? Që mbajnë mjete të paligjshme? Duhet te jene ne fokusin e mësuesit!”, tha Pjerin Ndreu, kryebashkiak i Lezhës.

Por topi s’duhet të mbetet në portën e shkollës, thanë drejtuesit e arsimit, pasi në shumë raste prindërit janë të papërgjegjshëm për fëmijët.

“Ju lutem më vjen keq ta them por prindërit kanë heq dorë nga fëmijët. Mësuesi e lajmëron për problematikën dhe prindi thotë kush je ti që më shqetëson?”, tha Bardh Dedgjonaj, drejtor i një shkolle në Lezhë.  

Po kështu, ka mungesa të stafit dhe infrastrukturës! Aktualisht në të gjitha shkollat e bashkisë së Lezhës janë vetëm 3 oficerë sigurie, ndërsa mungojnë kamerat.

“Sot bashkia Lezhë në shkollat e vetë ka 14 psikolog dhe 4 punëtore sociale dhe vetëm 3 roje sigurie. Por nga viti tjetër Lezhës do t’i shtohen dhe 5 oficerë sigurie”, u shpreh drejtori i Arsimit.

Problematikat u evidentuan gjatë mbledhjes së Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, që drejtohet nga kryebashkiaku i Lezhës./Shqiptarja.com

Lini një Përgjigje