
Ka nisur seanca në KQZ për shkarkimin ose jo të kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur ditën e sotme pasi drejtësia greke i përcolli ministrisë sonë të Drejtësisë vendimin që fakton se kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari ka qenë i dënuar nga Gjykata e Janinës.
Hajdari në formularin e vetëdeklarimit ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar.
Avokati i Kreshnik Hajdari ka deklaruar se klienti i tij nuk ka kryer dënim që të bëhet shkak për ndërprerje mandati.
"Nuk ka shkak për ndërprerje të mandatit. Cfarë pretendohet nga personat që e kanë inicuar, rezulton se në vitin 99 kur ai ishte 16 vjec është kapur për kalim të paligjshëm kufiri. Eshtë dënuar dhe marrë masa, janë larguar nga territori grek. Ne mendojmë se nuk ka asnjë shkak për ata që pretendohet",-tha ai.
Gjykata në Janinë e ka gjetur fajtor Hajdarin për hyrje në territorin grek në mënyrë të paligjshme dhe e ka dënuar në 23 qershor të vitit 1999 me “masë riedukuese të qortimit”, pasi në atë vit, kryebashkiaku i zgjedhur ka qenë vetëm 17 vjeç.
Sipas vendimit të drejtësisë greke, i pandehuri Kreshnik Hajdari, në atë kohë me statusin punëtor, ka qenë i pranishëm në procesin gjyqësor.
Lini një Përgjigje