
Presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë konferencës me kryeministrin Edi Rama foli edhe për një plan për Shqipërinë dhe rajonin, ku zotohet se do të udhëheqë një proces të ri politik që do të quhet ‘Ribashkimi i Evropës’, që synon të fuqizojë ekonomitë e Ballkanit dhe bashkëpunimin me BE-në.
Në lidhje me këtë nismë ka folur edhe analisti Frrok Çupi, teksa tha në “Special Report” se nëpërmjet kësaj deklaratë, Macron përcolli dy mesazhe.
Sipas tij, njëri ka të bëjë me kohën kur zgjodhi të bëjë vizitën zyrtare në Shqipëri që lidhet me Samitin e Procesit të Berlinit që u mbajt të hënën në Tiranë.
“Kishte dy mesazhe. I pari dhe shumë i rëndësishëm është se duket gjeniale lëvizja e Macron. Ka zgjedhur kohën të vijë në kuadër të procesit të Berlinit së bashku me Evropën por me një axhendë pak më ndryshe. Ribashkimi i Evropës do të thotë të hiqen vijat që janë vendosur pas ’45 në Luftën e Dytë Botërore dhe e dyta të ribashkohen vlerat e Evropës sepse duhet dhe është në rrugën për spostimin e boshtit të saj. Boshti i Evropës nuk ishte thjesht midis Gjermanisë dhe Francës por është deri në fund të Moldavisë.
Kjo është ideja më gjigante që vendoset në tryezat e Evropës pas luftës së dytë Botërore. Janë të njohura, Open Ballkan e kam lexuar si një iniciativë të SHBA dhe pjesërisht të BE pikërisht për të spostuar boshtin e Evropës, për ta sjellë në vendin ku ishte. Tani jemi në procesin e Berlinit, që ka vlera të mëdha. Dhe mesazhi i dytë, është se Macron tha një gjë shumë interesante se aksidentet demokratike mund të sjellin një gjë, se po të vendosim rregulla, ata do të përdorin rregullat. Qeveria në Kosovë është një aksident demokratik”, theksoi analisti.
Lini një Përgjigje