
Pas tre vitesh shtyrjesh për arsye teknike dhe shqetësime mbi privatësinë, nga neswr fillon zbatimi në mënyrë graduale i sistemit të ri të identifikimit biometrik Entry/Exit System (EES) në aeroportet e vendeve të Bashkimit Europian. Ky sistem, i ndërtuar mbi rrjet kamerash dhe softuerësh të avancuar, synon të përshpejtojë dhe forcojë kontrollet kufitare për qytetarët e vendeve të treta që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në BE. Përdorimi i plotë i sistemit EES pritet të nisë në prill të vitit 2026.
Çfarë ndryshon për udhëtarët?
Për qytetarët e BE-së nuk ka asnjë ndryshim. Sistemi prek vetëm udhëtarët nga vende të treta pa detyrim për vizë, si Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Izraeli, Japonia, Brazili, Ballkani dhe të tjera, të cilët hyjnë ose dalin nga zona Schengen për qëndrime afatshkurtra deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.
Sistemi zëvendëson vulën manuale në pasaportë me një kontroll totalisht të digjitalizuar, duke regjistruar:
-të dhënat biometrike (gjurmët e gishtërinjve, njohja e fytyrës, skanimi i irisit)
-të dhënat e hyrjes dhe daljes (emri, data, vendndodhja, qëllimi i udhëtimit)
Regjistrimi paraprak – një hap i detyrueshëm
Para përdorimit efektiv të sistemit, udhëtarët duhet të kryejnë një regjistrim paraprak në terminalet automatike të vendosura në zona të posaçme të aeroporteve ose pikave kufitare.
Procedura përfshin:
-Skanimin e pasaportës
-Mbledhjen e gjurmëve të gishtërinjve (përjashtuar fëmijët nën 12 vjeç)
-Fotografimin e fytyrës
-Dhënien e përgjigjeve për katër pyetje të detyrueshme, mes tyre: adresa e qëndrimit në BE dhe dëshmia e mjeteve financiare për qëndrimin.
Sa zgjat regjistrimi?
Të dhënat e hyrjes, daljes dhe refuzimeve ruhen për 3 vjet. Dosjet individuale që përmbajnë të dhëna personale ruhen për një ditë më shumë, pas së cilës të gjitha të dhënat fshihen automatikisht dhe regjistrimi duhet të bëhet nga fillimi në rast udhëtimi tjetër.
Pse po zbatohet ky sistem?
Qëllimi kryesor i EES është përmirësimi i kontrollit të flukseve migratore drejt Europës. Në vitet e fundit, menaxhimi dhe siguria e kufijve të jashtëm të BE-së është kthyer në një përparësi strategjike për Brukselin, i cili ka investuar mbi 142 milionë euro për zhvillimin e kësaj teknologjie.
Lini një Përgjigje