
Ministri i Brendshëm Italian thotë se po riatdhesohen kriminelë, por opozita e kundërshton: “nëse flasim për kriminelë, ata duhet të jenë në burg, por këto janë struktura të paligjshme për shkak të kushteve të jetesës së të burgosurve dhe kushteve të atyre që punojnë atje”
Nga porti i Brindisit në Itali është nisur anija e marinës ‘Spica’, në bordin e së cilës janë akomoduar 30 emigrantë të kombësive të ndryshme që do të strehohen në qendrën e paraburgimit dhe riatdhesimit (CPR) në Gjadër.
Duket se kjo është ‘dhurata’ e parë që Giorgia Meloni i bën Edi Ramës pas marrjes së mandatit të 4-t rradhazi si Kryeministër, ndërsa në Itali janë ndezur debatet lidhur me funksionimin e qendrave CPR.
Në kampin e Gjadrit momentalisht strehohen rreth 50 persona, ndërsa Ministria e Brendshme italiane ka bërë të ditur se 30 emigrantë që i është refuzuar azili në Itali janë riatdhesuar në vendet e origjinës, pasi më parë ishin strehuar në Gjadër.
Ndërkohë që vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë pritet në ditët në vijim, Gjykata e Romës, nuk e ka njohur legjitimitetin e arrestimeve të urdhëruara kundër emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe dhe të transferuar në anën tjetër të Adriatikut, sepse ata vijnë nga vende që qeveria italiane i konsideron të sigurta, në veçanti Egjipti dhe Bangladeshi.
“Nuk është e vërtetë që ne sjellim atje emigrantë që janë fajtorë vetëm për shkak se janë në një gjendje parregullsie administrative, nuk është kështu.
Kemi riatdhesuar njerëz që po liroheshin nga burgu pas disa vite për krime të rënda, përfshirë përdhunim, pornografi me fëmijë e kështu me radhë”, shprehet ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, për “transferimin” e katërt të të huajve të paligjshëm në territorin italian në qendrën shqiptare që presin dëbimin.
Ndërkohë opozita në Itali vijon të kundërshtojë modelin e CPR-ve ndërsa kërkon mbylljen e tyre.

“Ato nuk kanë asnjë dobi për qëllimin e të ashtuquajturit frenim, sepse këtu ka njerëz që kapen kur dalin nga burgu, mbyllen për 90 ditë dhe më pas lirohen me një urdhër dëbimi, për të filluar ciklin nga e para.
Ose janë njerëz që gjenden duke bredhur nëpër rrugët e vendit pa dokumente, dhe ata përbëjnë shumicën.
Ndonjëherë ata madje kanë edhe familje me fëmijë, të cilët ndjekin shkollat tona, si një djalë i lindur dhe i rritur në Itali, por i mbajtur për ditë të tëra për siguri në CPR sepse nuk mundi të rinovonte lejen e qëndrimit.
Shkurt, nëse flasim për kriminelë, ata duhet të jenë në burg, por këto janë struktura të paligjshme për shkak të kushteve të jetesës së të burgosurve dhe kushteve të atyre që punojnë atje", tha deputetja dhe drejtuesja e Drejtësisë për Partinë Demokratike, Debora Serraçhiani. Ajo ka inspektuar qendrat CPR në Itali dhe në Gjadër.
Parlamentarja demokrate shprehet për struktura të rrënuara me shumë dhoma të mbyllura pasi ato janë absolutisht të papërdorshme dhe me kritika të veçanta në disa nga zonat më të ndjeshme.
“Duhet të ndërhyjmë sa më shpejt të jetë e mundur”, thekson ajo.
Por ministri i Brendshëm thekson se “jemi në procesin e konvertimit të dekret-ligjit në lidhje me CPR-në e Shqipërisë”.
“Pas personave të liruar nga paraburgimi, arritëm të riatdhesojmë 30 persona.
Këto janë ditët e para, por ne synojmë t'i japim një shtysë funksionalitetit", tha Matteo Piantedosi.
Ai theksoi se ne kemi riatdhesuar njerëz që kanë kryer dënime në burgje për disa vite për krime të rënda, duke përfshirë përdhunim, pornografi me fëmijë e kështu me radhë.
“Pra, ne kufizojmë vetëm njerëzit që paraqesin rrezik shoqëror për këto qendra. Qendra do të sigurojë një funksionalitet shumë të rëndësishëm dhe ne po presim, në muajt në vijim, vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe rregullat evropiane për këtë çështje në qershor 2026, që të jemi në gjendje të përdorim edhe pjesën tjetër të strukturës”, vazhdoi Piantedosi. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje