TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Qershor 2026, 18:34

Eni Vasili kërkon t'u fusë dorën në xhep shqiptarëve për të mbuluar krizën e RTSH-së

Shkruar nga Pamfleti

Eni Vasili kërkon t'u fusë dorën në xhep

“Tarifa është më e ulëta në gjithë Europën, më pak se 1 euro, por është tarifë që mundëson ekzistencën e institucionit”, tha Drejtoresha e Përgjithshme Eni Vasili...

Kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli dhe Drejtoresha e Përgjithshme Eni Vasili raportuan të premten në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik për përpjekjet e këtij institucioni për stabilizim financiar, pavarësi editoriale dhe dixhitalizimin e arkivës, në bazë të rekomandimeve të lëna nga Kuvendi për vitin 2025.

“RTSH vijon të jetë nën presion financiar”, tha Hoxhalli ndërsa raportoi mbi shifrat e menaxhimit të buxhetit për vitin që lamë pas, duke folur për një defiçit mes të ardhurave dhe shpenzimeve.

Sipas raportit të ardhurat u realizuan në masën 86.7% të planit vjetor me mungesë prej 366 milionë lekësh në krahasim me objektivin buxhetor, ndërsa televizioni përballët me detyrime ndaj palëve të treta të trashëguara nga keqmenaxhimi i mëparshëm, dëmshpërblimet për valën e pushimeve nga puna në kohën e drejtimit të televizionit nga ish deputeti socialist Alfred Peza.

“Detyrimet që RTSH ka ndaj palëve të treta arritën në 374 milionë lekë. Analiza e strukturës së borxhit tregon një përqindje të lartë në kategorinë e të drejtave sportive me kosto të konsiderueshme, të cilat ishin planifikuar të mbuloheshin nga projeksione të paqëndrueshme të rritjes së tarifës”, tha Hoxhalli para deputetëve.

Në financimin e operatorit të vetëm publik vijon të jetë bazë tarifa mbi pajisjet marrëse nga e cila është siguruar 56.5% e totalit të të ardhurave gjatë vitit 2025, për të cilën drejtuesit e RTSH kërkuan rritje të saj.

“Tarifa është më e ulëta në gjithë Europën, më pak se 1 euro, por është tarifë që mundëson ekzistencën e institucionit”, tha Drejtoresha e Përgjithshme Eni Vasili.

Ashtu si Hoxhalli edhe Vasili tha se RTSH po përballej me një sfide të madhe financiare dhe konsideroi si prioritet kryesor administrimin dhe reduktimin e presionit të likuiditetit që rëndonte mbi institucionin.

Sipas saj po bëhej likuidimi gradual i detyrimeve të prapambetura dhe është arritur rinegocimi i afateve të pagesave për detyrime të caktuara duke shmangur penalitetet financiare.

Ajo foli për nevojën e një ristrukturimi total në bazë dhe të një raport-analize të realizuar nga EBU (Unioni Europianë i transmetuesve publikë), por ajo kërkoi mbështjen e Parlamentit për të shtuar buxhetin për realizimin e kësaj reforme.

Vasili u ndal veçanërisht tek emergjenca e financimit për dixhitalizimin e arkivës së RTSH, duke e konsideruar këtë gjë si një detyrim publik dhe si një projekt kombëtar me rëndësi strategjike.

Përsa i përket pavarësisë editoriale Vasili tha se kishte ende punë për të bërë, por theksoi se “nuk kemi presion politik që na duhet ta dëshmojmë”.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, tha se binte dakord me shumë shqetësime të ngritura nga drejtuesit e televizionit dhe i kërkoi Vasilit të sillte në Kuvend një propozim konkret për buxhet shtesë për dixhitalizimin e arkivës.

Nga ana tjetër ajo vuri në dukje nevojën për një pavarësi editoriale nga ana e transmetuesit publik si një kërkesë e artikuluar dhe nga raportet e Bashkimit Europian.

Ndërkohë Tabaku njoftoi se Kuvendi po diskutonte nevojën për ndryshime ligjore për pavarësinë institucionale të RTSH-së duke kërkuar një formulë të re të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit Drejtues.

Nënkryetarja e Komisionit, Iris Luarasi, në rolin e relatores së raportit, tha se pavarësisht vështirësive të shprehura nga drejtuesit Kuvendi në analizën e realizimin të rekomandimeve të vendosura kishte konstatuar se asnjëri prej tyre nuk ishte realizuar plotësisht.

Në emër të komisionit ajo parashtroi një sërë rekomandimesh për vitin 2026 duke vënë theksin tek nevoja për një plan strategjik ku të përfshihen objektiva të qarta dhe të matshme, të shoqëruara me mekanizma raportimi gjashtëmujor, në mënyrë që reformat e nisura të mos mbeten vetëm deklarative.

Po ashtu ajo kërkoi nga drejtuesit që të sjellin në Kuvend një një plan financiar të dedikuar për përfundimin e digjitalizimit të arkivës në mënyrë që Kuvendi të ndikojë tek ekzekutivi për alokim të ri fondesh të dedikuar për këtë proces./BIRN

 

4 Komente

  1. S
    SNIPER 007

    E vetmja sfide qe po kalon RTSH eshte periudha Vasili. Ose me mire periudha e bandes Vasili

    1. #
      #Vezhguesi

      "Po ju per budallenj na merrni ne?!"...Cfare tarife duan te ngrene?! Nuk eshte ceshtje parash, eshte ceshtje vizioni dhe aftesie. Si tha vemja, e kemi RTSH si Mercedez smund ti vejme pjese te tjera! Po c'mercedez o mercenar! Qe po e beni RTSH-ne si makina plehrave, po qelbet dhe vjen ere nga te gjitha anet! Harrojeni ngritjen e tarifes! Eni Vasili ka tarifen qe meriton, 1 euro. Asnje lek me shume!

      1. P
        PARIDI BERAT

        TARIFA ESHTE ME E ULTA NE EUROPE SE NE SJEMI FARE NE EUROPE. KUR TE HYJME DO JU A NGREJME. PA MERAK MOTRA. DO E MBAJNE SHENIM. PER MOMENTIN KAVARDISU ME ATE TARIFE QE KE, POR MOS E BEJ BOTOKS DHE ATE.

        1. A
          Avni Topi

          Sipas Censusit te fundit Shqiperia ka 1,082,529 banesa te cilat kane edhe kontrate te energjise elektrike dhe si rrjedhim paguajne edhe 100 lek tariff per RTSH. Me nje matematike te thjeshte 1.082.529 *100= 108.252.900 lek. Me te vjetra jane 1 miliard e ca ne muaj. Si ka mundesi qe nuk ju dalin ketyre vipave te rtsh apo ju duhen per shetitje jashte atdheut

          Lini një Përgjigje