TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Qershor 2024, 15:54

Në ‘Sky’ edhe krye-polici i drogës së Përmetit, Kuçovës e Beratit, Ermir Gërxhani; me Bistrin, Hasanbegën e trafikantë të tjerë

Shkruar nga Pamfleti
Në ‘Sky’ edhe krye-polici i drogës së Përmetit,
Ermir Gërxhani /

Emri i Ermir Gërxhanit, ka dalë në grupin “Metamorfoza 1” bashkë me kolegët tij të arrestuar dhe me Rebani Jaupin e Neritan Nallbatin, por SPAK nuk e ka marrë as në pyetje.

Ndër  drejtuesit e policisë, në grupin e komunikimit të rrjetit “SKY” me vrasës, trafikantë, biznesmenë dhe zyrtarë të përfshirë në krime e korrupsion, është dhe krye-komisari Ermir Gërxhani, aktualisht Shef i Komisariatit të Beratit.

Në informacionin që ka siguruar “Pamfleti”, thuhet se nga hetimi i deritashëm, që BKH u ka bërë përgjimeve “SKY” të ardhura nga partnerët ndërkombëtarë, krye polici i Beratit, Ermir Gërxhani, ka dalë në 384 biseda me kolegë, drejtues të lartë të PS e eksponentë kriminalë.

Ai ka bërë biseda me ish-drejtorin e Operacionales, Oltion Bistri dhe me ish-shefin e policisë kriminale të Sarandës, Beratit e Shkodrës, Ardit Hasanbegaj, të dy të arrestuar në aksionin “Metamorfoza” me trafikantin porositës vrasjesh e investitor strategjik, Pëllumb Gjokën.

Në bisedat me Oltin Bistri dhe Ardit Hasanbegën e shefa të tjerë policie në Vlorë, Fier, Tepelenë, Përmet, Skrapar, Gjirokastër, Elbasan, krye polici Ermir Gërxhani kur ka qenë shef i policisë private të firma ‘Salillari’ dhe shef komisariati në Kuçovë, u ka kërkuar e siguruar favorizime reciproke, për individë e grupe kultivimi dhe trafiku droge.

Në bisedat “SKY” me Oltion Bistrin e Ardit Hasanbegën, krye polici i Beratit, Ermir Gërxhani, ka përdorur dhe emrat, interesat dhe garancinë nga dy ish-ministrat Bledar Çuçi e Blendi Klosi dhe Pëllumb Salillarit, të cilët kanë komanduar parcelat e drogës në Qarkun e Beratit.

Emri i Ermir Gërxhanit, ka dalë në grupin “Metamorfoza 1” bashkë me kolegët tij të arrestuar dhe me Rebani Jaupin e Neritan Nallbatin, por SPAK nuk e ka marrë as në pyetje.

Sepse në kohën e atyre bisedave, Gërxhani ka qenë Shef Komisariati në Kuçovë, ku ish-Ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi ishte dhe është drejtues politik i PS e financohet për vota nga Pëllumb Salillari dhe bandat e kultivimit e trafikimit të drogës.

Kujtojmë, se Shefi i Komisariatit të Beratit, Ermir Gërxhani që ka dalë në bisedat “SKY”; më 4 prill 2017 kur ishte Shef Komisariati i Përmetit, u përjashtua nga policia, sepse u kap në flagrancë me 11.6 ton drogë në magazinën e tij në Piskovë të Përmetit e 12 parcela të mbjella.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (ish-SHCBBA), nxori urdhrin për arrestimin e tij, por urdhri u anulua pas lobimit te Babloku, nga Pëllumb Salillari që e ka mik shtëpie krye policin Ermir Gërxhani; i cili pas përjashtimit nga policia e punësoi shef sigurie te kompania “Salillari Sh.p.k”.

Në shkurt 2021, katër vite pas përjashtimit nga policia për kultivim e trafikim të 11.6 ton droge në Përmet, Emir Gërxhani u rikthye  në polici me lobim po të Pëllumb Salillari e urdhër të Bledar Çuçit, duke e emëruar Shef Komisariati të Kuçovës, ku ri-organizoi grupet e kultivimit të drogës dhe të vjedhjes së votave edhe më 14 maj 2023.

Ndërsa më 29 shtator 2023, me urdhër të drejtorit Muhamet Rrumbullaku, krye polici trafikant Ermir Gërxhani, po me lobim të Salillarit, u emërua Shef i Komisariatit të Beratit, ku vazhdon të jetë akoma./Pamfleti

ermir gërxhani

Lini një Përgjigje