TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Mars 2025, 19:53

Ndahet nga jeta ish-deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani

Shkruar nga Pamfleti

Ndahet nga jeta ish-deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani

Ndahet nga jeta në moshën 54-vjeçare ish-deputeti i Partisë Socialiste Andis Harasani, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Është ndarë nga jeta ish-deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani. Ai ka mbyllur sytë përgjithmonë ditën e sotme në moshën 54-vjeçare.

Harasani ka ndërruar jetë si pasojë e një sëmundje të rëndë, prej së cilës po vuante prej 2 vitesh. Ndarjen nga jeta të tij, e ka bërë me dije avokati Agim Muço, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Para pak minutash u njoftova se u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë, Andis Harasani. Andisin e kam njohur kur e kisha student në Fakultetin Ekonomik. Ishte vërtetë një student inteligjent. Më pas punuam bashkë te Deloitte&Touche Tirana. Ishte një tirons i omël por dhe djal i zoti", shkruan miku i ish-deputetit të PS.

Andis Harasani është zgjedhur dy herë deputet, në zgjedhjet e vitit 2005 dhe ato të vitit 2009, teksa nga shtatori i vitit 2002 deri në korrik të vitit 2005 ka qenë drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).

Në vitin 2012 ai dha dorëheqjen nga mandati i deputetit dhe u shpërngul në SHBA. Megjithatë, ai nuk ju larguar jetës publike, duke qenë prezent në rrjete sociale si një kritik i ashpër i Ramës dhe PS-së.

Lajmin e trishtë e ka konfirmuar edhe bashkëshortja e tij, Suela Kapllani Harasani. Ish-deputeti i PS është baba i dy fëmijëve, Thea dhe Henry. Ai luftoi për 2 vite me sëmundjen e rëndë të kancerit, por fatkeqësisht e humbi betejën.

“Të dashur familjarë e miq,

Me hidhërim të thellë, njoftojmë humbjen e parakohshme të njeriut tonë të zemrës, babait, bashkëshortit, djalit, vëllait, mikut Andis Harasani. Andisi ynë luftoi për jetën me forcën, besimin dhe vendosmërinë që e karakterizonte gjithmonë. Ai luftoi fort për ne dhe nuk rreshti kurrë së dhuruari dashuri, mbështetje e forcë. Fatkeqësisht, e humbëm betejën kundër kancerit.

Unë, Thea dhe Henry jemi përjetësisht mirënjohës për këtë rrugëtim jete që krijuam bashkë. Ti do mbetesh në zemrat tona njeriu ynë më i shtrenjte, me humor te pakrahasueshëm, gjithë mençuri e guxim për të ecur përpara. Do na mungosh pafundësisht, dashuria jonë!", shkruan bashkëshorja në rrjetet sociale.

Kush ishte Andis Harasani, ish-deputeti që mori dy mandate në Kuvend, por la në mes rrugëtimin politik për arsye personale?

Andis Harasani ishte një nga drejtorët kryesorë të Fatos Nanos në vitin 2005 që iu fut politikës përmes kandidimit për deputet.

Deri në atë vit ai kishte drejtuar Korporatën Elektro-energjetike Shqiptare (KESH), moment kur Nano e thirri për ta kandiduar përballë Shaban Memisë në një nga zonat e Tiranës, në njësinë nr.4.

Harasani e fitoi përballjen me kandidatin demokrat dhe ishte nga të paktët socialistë që fitoi në kryeqytet, ku mori edhe mandatin e parë të deputetit.

Pas ndryshimit të lidershipit socialist pas humbjes së zgjedhjeve, ai ishte sërish një nga kandidatët e Edi Ramës në Tiranë. Këtë herë, jo në njësinë nr. 5 por në zonën e Rrogozhinës.

Në vitin 2009, Harasani fitoi mandatin e dytë parlamentar, por që nuk do ta përfundonte atë. Në vitin 2012, vetëm një vit para zgjedhjeve të përgjithshme që do të shënonin edhe rikthimin e socialistëve në pushtet, ai vendosi ta lërë mandatin “për arsye personale”, siç e deklaroi edhe publikisht në atë kohë.

“Pas plot 7 vjetësh si deputet i Partisë Socialiste dhe përfaqësues i votuesve të qarkut të Tiranës, kam vendosur të dorëzoj mandatin e deputetit për arsye tërësisht personale. Dëshiroj të siguroj të gjithë votuesit e mi, si dhe të gjithë anëtarësinë e Partisë Socialiste se pavarësisht shkëputjes nga aktiviteti parlamentar, do te vazhdojë të mbështesë dhe të punojë për të siguruar fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, deklaronte Harasani në atë kohë.

Vendin e tij e zuri Auron Tare, ndërkohë që Harasani vijoi angazhimet e tij personale jashtë Shqipërisë.

Lini një Përgjigje