
Nivelet e zhurmës janë problematike në disa zona me trafik të lartë dhe aktivitet ekonomik intensiv, teksa zonat më të ndikuara përfshijnë “Pazarin e Ri”, “Sheshin Italia” dhe “Rrugën e Kavajës”, ku nivelet e decibelëve shpesh tejkalojnë kufijtë e rekomanduar për një mjedis të shëndetshëm.
Kjo është një prej gjetjeve në Raportin Vjetor “Cilësia e ajrit dhe ndotja akustike”, i hartuar nga organizata Co-PLAN, me fonde të qeverisë suedeze.
Për të kryer monitorimit u përzgjodhën 13 stacione, në unazën e vogël të Tiranës, teksa matjet u kryen gjatë periudhës gusht-dhjetor 2024, duke mbuluar tre sezone të ndryshme: verë, vjeshtë dhe fillimin e dimrit.
Sipas raportit, kjo periudhë kohore lejon një vlerësim të ndotjes së ajrit dhe ndotjes akustike në varësi të faktorëve sezonalë, si ndryshimet në temperaturë, reshjet, lëvizshmëria e popullsisë dhe aktivitetet ndërtimore. Përveç zonave të mësipërme, disa nga pikat e monitoruara përfshijnë "Kryqëzimin e 21 Dhjetorit", "Rrugën e Kavajës", "Zogun e Zi", "Sheshin Skënderbej", "Piramidën", "Sheshin Italia", shkollën "Mihal Grameno", "Rrugën "Bardhyl", etj.
Matjet janë kryer në 6 raunde të ndryshme dhe për secilin prej tyre ka luhatje të rezultateve. Përshembull në raundin e parë Sheshi Italia ka nivelin më të lartë të ndotjes akustike, me 72.2 dB, duke treguar se kjo është një nga zonat më të zhurmshme të matura.
Ndërsa, në raundin e dytë "Treni" dhe "Pazari i Ri" janë ndër zonat më të zhurmshme, me nivele që arrijnë deri në 66.8 dB dhe 67.5 dB, duke theksuar ndikimin e lartë të trafikut dhe frekuencës së vizitorëve.
Sipas raportit, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj ndotjes akustike mund të ketë efekte negative në shëndetin e banorëve, duke shkaktuar stres, lodhje kronike, vështirësi në përqendrim, probleme të dëgjimit dhe çrregullime të gjumit.
Për këtë arsye kërkohet marrja e masave për reduktimin e nivelit të zhurmave, por edhe ndotjes së ajrit, veçanërisht nëpërmjet shtimit të sipërfaqeve të gjelbra aktive, mbjelljes së bimësive autoktone që arrijnë të absorbojnë më tepër ndotës, si dhe stimulimin e fasadave të gjelbërta, apo gjelbërimit vertikal./ SCAN
Lini një Përgjigje