TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Qershor 2023, 16:59

Mungon vendimi për shkarkimin e Safet Gjicit, presidenti nuk cakton dot datë për Kukësin

Shkruar nga Pamfleti

Mungon vendimi për shkarkimin e Safet Gjicit, presidenti nuk cakton dot

Vendimi për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici pas skandalit seksual vijon të jetë vetëm deklarativ.

As në faqen e Këshillit të Ministrave e as në Fletoren Zyrtare nuk është zbardhur një akt i tillë nga ana e ekzekutivit shqiptar, ndonëse publikisht u njoftua se ishte ndërmarrë një veprim i tillë. Ky akt zyrtar është i domosdoshëm në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Kukësit.

Procedura ligjore parashikon se Këshilli i Ministrave duhet të njoftojë zyrtarisht zyrën e Presidentit të Republikës dhe më pas ky i fundit duhet të dekretojë një datë për zgjedhje të parakohshme vendore: “Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit”.

Krahas Kukësit, zgjedhje do të ketë përsëri në Bashkinë e Rrogozhinës ku ndryshe nga rasti i Safet Gjicit, për këtë bashki nuk pati certifikim të rezultatit përfundimtar sepse Kolegji Zgjedhor konstatoi pavlefshmëri në një qendër votimi që ndikonte në rezultatin final, çka do të thotë që zgjedhjet për këtë njësi nuk përfunduan asnjëherë dhe të drejtën e caktimit të datës e ka KQZ, ku sipas projektvendimit, pritet të jetë data 23 korrik. 

vendimi për shkarkimin e safet gjicin skandali seksual

Lini një Përgjigje