TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Janar 2026, 09:45

Moti i keq në Lezhë, çahet argjinatura e lumit Drojë; banesa të izoluara dhe rrezik përmbytjesh në disa fshatra

Shkruar nga Pamfleti
Moti i keq në Lezhë, çahet argjinatura e lumit Drojë;
Moti i keq në Lezhë, çahet argjinatura e lumit Drojë

Reshjet e dendura të shiut kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën në të gjithë qarkun e Lezhës gjatë orëve të fundit.

Sipas të dhënave nga stacioni meteorologjik i Gjadrit, në 24 orët e fundit kanë rënë rreth 29 mm shi, duke sjellë probleme të shumta në disa bashki.

Situata më e rënduar paraqitet në Bashkinë e Kurbinit, ku rreth orës 06:00 të mëngjesit, një familje në zonën e Fushë-Mamurrasit, pranë hidrovorit të Drojës, kërkoi ndërhyrje urgjente pasi uji e kishte rrethuar plotësisht banesën. Shërbimet bashkiake ndërhynë për të ndihmuar familjen e izoluar, ndërkohë që problematika të ngjashme raportohen edhe në lagjen Sanxhak dhe në fshatin Gjorm. Në këto zona, rreth gjashtë banesa të tjera ndodhen nën rrethimin e ujit si pasojë e fryrjes së rrugës Laç-Mamurras.

Shqetësimi kryesor mbetet çarja e argjinaturës së lumit Drojë në krahun e Durrësit, e cila ka rritur ndjeshëm presionin mbi hidrovorët e Drojës dhe Shëllinzës. Si pasojë, niveli i ujit është rritur menjëherë në tokat bujqësore të zonës së Adriatikut dhe në fshatrat e njësisë administrative Fushë-Kuqe. Strukturat e DRUK-ut kanë kaluar në gatishmëri të plotë dhe po punojnë pa ndërprerje në kushte kritike për të shmangur përmbytje më të mëdha.

Në Bashkinë e Lezhës, ekipet e emergjencave civile dhe zjarrfikësit kanë qenë në terren gjatë gjithë natës, duke larguar ujin nga një banesë në Shëngjin dhe nga një palestër në qytet.

Autoritetet po monitorojnë nga afër edhe fshatrat Torovicë dhe Tresh, si dhe lagjen Shehër, ku janë evidentuar raste të rrëshqitjes së dherave pranë banesave. Ndryshe nga Kurbini dhe Lezha, në Bashkinë e Mirditës situata paraqitet më e qetë dhe deri tani nuk raportohen probleme serioze, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin në terren.

Moti i keq në Lezhë, çahet argjinatura e lumit Drojë;

lumi droje moti i keq ne lezhe rrezik përmbytjesh në disa fshatra

Lini një Përgjigje