
Kapiteneria e Portit Detar të Vlorës ka pezulluar lundrimin detar për mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit, duke nisur nga kjo e shtunë deri ditën e hënë.
Gjithashtu trageti i linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë ka anuluar mbërritjen të caktuar për ditën e nesërme (25 janar), ndërsa lundrimi vijon vetëm për anijet e transportit ndërkombëtar detar.
Në njoftimin zyrtar, bëhet me dije se shkak për pezullimin e lundrimit është era e fortë bregdetare me drejtim jug-juglindje, e cila shkakton në gjirin dallgë deri në 2.5 metra lartësi, ndërsa në det të hapur, dallgë deri në 4 metra lartësi.
Anijet e peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese e kanë të pamundur të udhëtojnë duke pasur parasysh lartësinë e dallgëve. Gjithashtu, era e fortë bregdetare, e cila fryn me shpejtësi nga 25 deri në 45 metra për sekondë, bën që fuqia e detit në gjirin të shkojë deri në 7 ballë, ndërsa në det të hapur deri në 8 ballë.
Sipas njoftimit të kapitenerisë, trageti i linjës me Brindisin do të vijojë lundrimet në normalitet. Ky traget mund të përballojë një forcë më të madhe të detit se kaq. Trageti i linjës do të vijojë punën në normalitet, me përjashtim të ditës së diel, kur ka anuluar mbërritjen në Vlorë.
Bëhet me dije gjithashtu se administratorët e mjeteve lundruese duhet të sigurojnë në bregdet këto mjete për të shmangur përplasjen e tyre me kalatat e portit, duke sjellë dëme materiale. Këta administratorë, prej kësaj të shtune kanë nisur të sigurojnë mjetet në bregdet.
Situata hidro-meteorologjike sipas kapitenerisë së Portit Detar të Vlorës pritet të përmirësohet rreth orës 6 të mëngjesit të ditës së hënë. Pas kësaj ore, mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit do të lejohen të dalin në det për lundrim.
Lini një Përgjigje