Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i ka dërguar një letër zyrtarit të lartë të DASH, James Rubin pas ngritjes së Komisionit për Dezinformimin.
Në letrën e saj, Nikolla e fton zyrtarin amerikan të vizitojë Parlamentin e Shqipërisë dhe ti drejtohet me një fjalë “për rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar ndikimet e huaja malinje”.
Gazetarja Mirela Milori thotë se letra që Nikolla, e cila në hierarkinë shtetërore është numri 2 pas presidentit, i çon zyrtarit të lartë të DASH, tregon se kemi të bëjmë me një çështje më të madhe se përpjekja për të goditur disa media brenda vendit.
Problematike sipas saj, është mungesa totale e transparencës dhe mungesa e njohurive për këtë komision as nga grupet e interesit.
“Kemi në dorë vetëm një letër të Lindita Nikollës dhe nuk dimë as objektin e hetimit, cilët do të jenë filtrat. Ajo që shoh unë që i jep besueshmëri asaj që shkruhet në letër është që i drejtohet zyrtarit amerikan dhe pret përgjigje. I kërkohet zyrtarisht në emër të qeverisë që të ofrojnë ndihmë sepse është një çështje shumë e rëndësishme. Duke përfshirë edhe DASH, si numri dy i shtetit, do më dukej pak lojë shumë e rëndë ajo për të bërë spastrimet e brendshme. Deri këtu unë them që ka një objekt që ende nuk e dimë. Ajo që vret është mungesa e transparencës. Mund të jetë një çështje e sigurisë kombëtare, një çështje e sigurisë që përfshin edhe Kosovën. Që këtu ka një problematikë që përfshihet edhe SHBA, më duket e sigurt”, tha Milori.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, i ka dërguar një letër zyrtarit të lartë të departamentit amerikant të shtetit (DASH), James Rubin ku fton zyrtarin e DASH në Tiranë dhe i kërkon dihmë për ngritjen e Komisionit kundër dezinformimit. Nikolla njofton zyrtarin se Konferenca e Kryetarëve krijoi dhe dërgoi Komisionin për seancë plenare për miratim.
“Duke qenë se Shqipërisë i mungon kuadri i duhur për të trajtuar ndikime të tilla, unë do të doja që jo vetëm t’ju bëj një ftesë për të vizituar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, por komisioni do të përfitonte shumë nga përvoja dhe njohuritë tuaj të vlefshme kundër këtyre forcave. Për më tepër, dëshiroj t’ju kërkoj që t’i drejtoheni Kuvendit për rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar ndikimet e huaja malinje. Kërkoj të inkurajoni bashkëpunimin në këtë çështje vendimtare. Faleminderit për konsideratën tuaj dhe pres me padurim përgjigjen tuaj”, shkruan ndër të tjera Nikolla në letrën drejtuar të Dërguarit Special dhe Kordinatorit për Qendrën e Angazhimit Global të Departamentit të Shtetit.
Lini një Përgjigje