Kreu i PD, Sali Berisha do të paraqitet këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), pas vendosjes së masës “detyrim paraqitje” nga Apeli i GJKKO-së. Berisha pritet të paraqitet përpara oficerit të policisë gjyqësore, Adelajda Metaj, në orën 10:00.
PD ka njoftuar një protestë përpara SPAK-ut, duke i ftuar strukturat e degëve të mobilizohen për të mbështetur Berishën. Kryetari i PD-së është i përfshirë në hetimet për dosjen “Partizani”, ku akuzohet për korrupsion pasiv. Kjo dosje lidhet me akuzat se Berisha miratoi ligje dhe akte nënligjore në favor të interesave të disa familjeve pronare, përfshirë dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Në pritje të seancës, zona përpara SPAK-ut është blinduar nga forca të shumta të policisë.
PD u ka dërguar strukturave një njoftim përmes mesazheve në celular, ku i kërkohet pjesëmarrja në protestë.
“Të dashur miq. Ditën e Hënë, në orën 9:30, të mobilizojmë të gjithë strukturat e degëve për të protestuar përpara SKAP- it, si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politik. Do jemi aty në mbështetje të të drejtës, të ligjit dhe të vërtetës, që është në anën e kryetarit të PD, Prof. Dr. Sali Berisha. Në orën 9:30 përpara selisë së SKAP-it. Faleminderit!”, thuhet në njoftimin e PD drejtuar strukturave.
Lini një Përgjigje