
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ngritur alarmin për skemë mashtrimi që po qarkullon në rrjetet online. Përmes platformës së quajtur TXEX, kjo platformë funksionon në mënyrë të ngjashme me skemat piramidale online, që janë goditur më herët.
Mashtrimi funksionon përmes premtimeve, përfitimeve të shpejta vetëm me një klik, përmes investimeve me kriptovaluta ku investuesve u përdoret dyfishimi i shumës së investuar brenda një kohe shumë të shkurtër. Këto premtime kanë joshur qytetarë shqiptarë të shumtë të cilët kanë rënë pre e mashtrimit financiar dhe vjedhjes së të dhënave personale.
Ekspertja e fushës, Denisa Kele, në një intervistë për emisionin “Rudina” në Tv Klan tha se kjo nuk është një platformë e re, por ka qenë aktive për më shumë se një vit dhe ka përfshirë punonjës të shpërndarë në çdo qytet, të cilët u premtojnë qytetarëve fitime të menjëhershme e të dyfishuara brenda pak javësh.
Me një dëm ekonomik që mendohet të ketë arritur deri në 10 milionë dollarë, shumë prej viktimave janë rrogëtarë që kanë investuar kursimet e tyre pa pasur njohuri të mjaftueshme mbi kriptovalutat apo rreziqet që lidhen me to.
Kele shprehet se mungesa e edukimit financiar po krijon terren për mashtrime të tilla, duke ngatërruar kriptovalutat reale me skemat abuzive që përfitojnë nga padituria.
“Vetëm në Shqipëri është një lajm që po qarkullon javët e fundit, por ndërkohë që kjo platformë ka gati një vit e ndoshta më shumë që ekziston. Unë i kam dhënë sinjalet para një viti, ka pasur njerëz të shumtë që më kanë shkruar dhe ajo që është më e bukura, është fakti që kjo nuk është një platformë që ekziston vetëm online.
Këta persona që drejtojnë këto platforma në Shqipëri kanë të punësuar në çdo qytet një ose dy persona që merren vetëm me këtë gjë, që u premtojnë qytetarëve që në momentin që japin një shumë parash për dy ose tre javë u kthehet dyfishi i kësaj shume. Qytetarët shkojnë dhe i depozitojnë këto para tek këta persona, ndërkohë që tërheqin disa prej tyre. Është tamam një skemë piramidale e mirëfilltë. Mua më vjen shumë keq.
Duke qenë se tashmë kriptovalutat janë bërë një mjet i mirëfilltë investimi dhe që po funksionon në të gjithë botën dhe një vend si Shqipëria ku shumë qytetarë nuk kanë dijeni, këto skema piramidale ngatërrohen me kriptovalutat. Vlera e humbur presupozohet deri në 10 milionë dollarë. Ajo që mua më bën përshtypje se të gjithë këta persona që kanë investuar, janë në një numër shumë të lartë dhe mund të them që janë shumë rrogëtarë, që investojnë rrogat e tyre në këtë.
Investojnë dhe duke qenë se marrin mbrapsht dyfishin e investimit të parë krijojnë besim dhe investojnë përsëri. Ky është truku i një skeme piramidale. Të gjithë personat që unë kam folur akoma nuk e besojnë që është një skemë piramidale sepse vijnë dhe më thonë që ‘unë kam fituar’”, tha ekspertja./tvklan.al
Lini një Përgjigje