
Analisti Ergys Mërtiri ka komentuar ngjarjet e fundit politike në vend. Lidhur me vendimet e marra sot në Kryesisë e PD, Mërtiri u shpreh se gjithçka po bëhet për të fshehur krizën e vërtetë ku ndodhet PD.
“PD në krizë të thellë, më shumë se luftë për zgjedhjet është luftë për të fshehur krizën dhe për të mbuluar zërat kritikë. Berisha duhet të ishte larguar moralisht dhe politikisht. Premtoi vetëm dhe caktoi në Statut që kush humbet zgjedhjet duhet të largohet. Kur kjo është sanksionuar në Statut nuk parashikohej se kjo humbte fuqinë në rast se zgjedhjet humbeshin apo vidheshin”, tha ai për “News24”.
Analisti shtoi se PD është kthyer në një parti totalitare ku askush nuk del kundër liderit, mbështetur kjo nga fakti që në analizën që pritet të mbahen për zgjedhjet e 11 majit, ‘nuk preket” kreu i PD Berisha.
“Premtojnë analizë por analiza nuk prek drejtuesin, kjo tregon se kjo është një parti totalitare ku askush nuk ngre zërin. Në forumet e tyre nuk ka asnjë zë që thotë Berisha ka faj”, tha ai.
Lidhur me protestat e paralajmëruara, analisti u shpreh se në të vërtetë dëmtojnë opozitën, dhe nuk e rëndojnë aspak pozitën e mazhorancës.
“Në 4 vite pamë rrugën qorre ku hyri opozita. Protestat e dobëta dhe mosbindjet civile vetëm dëmtojnë imazhin e opozitës. Edhe tani që do të përsërisin atë që kanë bërë, e bëjnë sepse janë në krizë të brendshme dhe kanë nevojë t’i mbijetojnë asaj”, u shpreh Mërtiri.
Ai u ndal edhe në çështjen McGonigal, ku tha se në kushte të tjera, ku në krye të opozitës nuk do të ishte Berisha si persona që sipas tij është i pa dëshiruar nga ndërkombëtarët, do të kishte çuar në një rezultat të ndryshëm në zgjedhje.
Lini një Përgjigje