TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Nëntor 2025, 17:16

Meta bllokon përmbajtjet e lajmeve në Kanada, ‘Acromax’ sqaron mediat shqiptare për kufizimet

Shkruar nga Pamfleti

Meta bllokon përmbajtjet e lajmeve në Kanada, ‘Acromax’

Acromax ka njoftuar mediat shqiptare që publikojnë përmbajtje në Facebook dhe Instagram se Meta ka vendosur bllokim të plotë të përmbajtjeve të lajmeve në territorin e Kanadasë. Ky bllokim lidhet drejtpërdrejt me hyrjen në fuqi të ligjit të ri kanadez “Online News Act (Bill C-18)”.

Ligji kërkon që kompanitë teknologjike të paguajnë një tarifë licencimi sa herë që platformat shfaqin ose shpërndajnë përmbajtje lajmesh, duke përfshirë linket e artikujve të mediave online. Qeveria e Kanadasë e ka argumentuar ligjin si instrument për të kompensuar botimet vendase, të cilat humbin të ardhura nga reklamat kur artikujt e tyre shpërndahen në platformat sociale.

Meta nuk ka pranuar të hyjë në negociata dhe nuk ka pranuar të paguajë tarifat që kërkon ligji. Kompania ka zgjedhur të bllokojë çdo përmbajtje lajmi në Kanada. Bllokimi përfshin postimet organike, storiet, reels, si edhe çdo reklamë që dërgon përdoruesit drejt një artikulli informues.

Acromax Media konfirmon se bllokimi përfshin të gjitha faqet e mediave, pavarësisht vendit të origjinës. Në momentin që një përdorues në Kanada hap një link lajmi nga Facebook ose Instagram, platforma e pengon aksesin. Sistemi e identifikon përmbajtjen si lajm përmes algoritmeve që analizojnë tekstin, imazhet dhe linqet. Edhe nëse postimi nuk ka format klasik të një artikulli, por përmban informacion me karakter lajmor, Meta e bllokon.

Administratorët e faqeve nuk kanë kontroll mbi këtë proces dhe nuk ekziston mundësi apelimi. Ndryshimi i formulimit të postimeve nuk e shmang bllokimin, sepse filtrimi kryhet në nivel serveri dhe zbatohet në mënyrë automatike.

Sipas Acromax, pasojat janë të qarta. Mediat që kanë ndjekës në Kanada nuk mund të ruajnë ose të rrisin audiencën në atë treg. Trafiku nga Kanadaja drejt faqeve të lajmeve bie në zero. Fushatat e reklamimit që përfshijnë linke të lajmeve nuk funksionojnë, pasi sistemi i klasifikon si përmbajtje të ndaluar.

Meta ka zgjedhur këtë qasje si strategji presioni ndaj qeverisë kanadeze përpara negociatave të mundshme të ardhshme. Aktualisht nuk ekziston datë për ndryshim të politikës.

Acromax Media ka njoftuar se do të vijojë monitorimin e situatës dhe do të informojë administratorët e faqeve nëse Meta ndryshon qëndrim ose nëse hapet një mekanizëm përjashtimi apo apelimi.

Lini një Përgjigje