
Gjyshi i 3-vjeçarit nga ana e mamasë, Shefki Cani, ka treguar përjetimet e tetë ditëve që nipi i tij ishte zhdukur. Ai tha se kanë kaluar një periudhë ankthi dhe stresi.
Gjyshi tregoi se gjatë këtyre ditëve kanë menduar edhe për më të keqen.
“Sot një javë që ka humbur djali. E ka çuar mami i vetë në orën 9 të mëngjesit edhe nuk i erdhi më djali. I vjehrri i tha ‘djalin nuk ta sjell më’. Kemi vënë në dijeni policinë dhe doja ta falënderoja për punën. Një prind që i vjedh fëmijën e vetë, ka vjedhur djalin e djalit. Kjo është dhuratë e Zotit dhe qeverisë. Këto ditë kam qenë në ankth, siklet. Më frikësonte zhdukja e djalit. Derisa vodhi djalin e djalit mund të ndodhte dhe gjëra të tjera. E ka detyruar dikush që e ka vjedhur djalin, se nuk kanë pasur për qëllim. Të vijë njëherë djali te shtëpia se më ka marrë malli dhe të shohim si do jetë marrëdhënia me familjen e krushqve”, tha Shefki Cani.
Fëmija 3-vjeçar është bashkuar me nënën e tij pas një jave.
Ai mbahej nga gjyshja, Barie Gjuni, e cila ishte shpallur në kërkim nga Policia për fshehjen e fëmijës. Për këtë ngjarje është arrestuar bashkëshorti i saj Rexhep Gjuni dhe vëllai i saj, ndërsa të premten gjykata për të dy caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Pas arrestimit, Rexhep Gjuni, ka treguar rrethanat, të cilat sipas tij e kishin detyruar të ndërmerrnin një akt të tillë. Ai theksoi mes tjerash se nusja e djalit i kishte kërcënuar se do merrte djalin dhe do largohej jashtë vendit.
Lini një Përgjigje