TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Shtator 2025, 09:50

Më pak vota se Llagami, Asim Vokshi zgjidhet anëtar i Kushtetueses; formula që rrëzoi votimin në Gjykatën e Lartë

Shkruar nga Pamfleti

Më pak vota se Llagami, Asim Vokshi zgjidhet anëtar i Kushtetueses;

Anëtari i zgjedhur zëvendëson Holta Zaçajn si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës do të nisin menjëherë më pas...

Gjykata e Lartë ka zgjedhur sot anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese, duke plotësuar kështu vakancën e krijuar pas përfundimit të mandatit të Holta Zaçajt.

Anëtari i ri i Kushtetueses do të jetë Asim Vokshi, i cili megjithëse ka marrë më pak vota se Naureda Llagami, nga gjyqtarë e pranishëm në sallë, referuar renditjes së KED-it, ku ishte më i vlerësuari, do të marrë mandatin në Gjykatën Kushtetuese

Kjo për faktin se për zgjedhjen e anëtarit të ri të Kushtetueses duhet të votojnë 3/5 e gjyqtarëve të pranishëm në sallë. Por nëse nuk arrihet shumica e nevojshme, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në rastin konkret Asim Vokshi, konsiderohet i zgjedhur.

Vokshi renditej i pari në vlerësimin e KED-it me 89.5 pikë, ndërsa pas tij renditeshin Naureda Llagami me 89.3 pikë dhe Florian  Ballhysa me 77.83 pikë.

Pas tyre, renditeshin kandidatët Alma Faskaj, Genta Tafa dhe Alban Toro, që të paktën për këtë procedurë emërimi digjen.

Anëtari i zgjedhur zëvendëson Holta Zaçajn si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës do të nisin menjëherë më pas.

Njoftimi zyrtar

Në ambientet e Gjykatës së Lartë, u zhvillua Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të kësaj gjykate, me qëllim zhvillimin e procedurës së votimit për zgjedhjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.

Procesi u zhvillua në përputhje me parashikimet e Kushtetutës, ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar, si dhe Rregullores së miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Në përfundim të votimit, komisioni pasi verifikoi vlefshmërinë dhe numrin total të votave për secilin kandidat, konstatoi se:

z. Asim Vokshi – 6 vota

zj. Naureda Llagami – 8 vota

z. Florian Ballhysa – 0 vota

Komisioni kontatoi gjithashtu edhe një fletë votimi të pavlefshme.

Në kushtet kur parashikimet ligjore përcaktojnë se shpallet fitues kandidati që merr 3/5  e votave të pjesëmarrësve, dhe në rastin e votimit të sotëm ku asnjë nga kandidatët nuk e arriti këtë prag, komisioni shpall fitues kandidatin e renditur të parin nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.  Në këto kushte, z. Asim Vokshi zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi për zgjedhjen e z. Vokshi i komunikohet menjëherë Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe do të publikohet në Qendrën e Publikimeve Zyrtare.

1 Komente

  1. D
    Drita Musliu

    Eshte nje njeri dhe gjyqtar I shkelqyer urime sikur te Kishim me shume si ai

    Lini një Përgjigje