
Një emigrant në Greqi ka denoncuar skemën e mashtrimit nga një shqiptare Manjola Thanasko, e cila i ka marrë 4 mijë e 500 euro që ta pajisë me dokumente greke, por që nuk e ka bërë.
“Unë e njoha Manjolën nëpërmjet një shoku, më tha se do më bënte me dokumentet i kam dhënë mbi 4 mijë euro, por ajo nuk bëri asgjë. Më ka bllokuar në të gjitha rrjetet sociale dhe nuk kam ku e gjej”, thotë në një lidhje skype Arben Latifi.
Ai tregon se ka dëgjuar se kjo shtetase ka mashtruar shumë emigrantë në Greqi, duke ju thënë se do i bëjë me dokumente në Greqi dhe duke ju marrë paratë.
Z.Latifi kërkoi ndihmën e Fiksit që t’i kthehen paratë. “Unë nuk e kam denoncuar se nuk dua ta çoj në burg, unë dua të më kthejë paratë se i kam marrë borxh ndaj kërkova ndihmën tuaj”, thotë Arbeni.
Fiksi solli mesazhe të shumta mes qytetarit dhe Manjolës e cila kishte marrë përsipër të bënte me dokumente gjithë familjen shqiptare që ndodhej në shtetin Grek.
Në të gjitha mesazhet ajo shtyn takimet për ditën e nesërme, takime që nuk u zhvilluan kurrë.
Gazetarët e Fiksit kanë zhvilluar një telefonatë me Manjola Thanaskon e cila ndodhej në Vlorë.
“Po unë e njoh Arbenin, nuk mbaj mend fiks sa para i kam marrë, por kam pasur halle dhe probleme dhe nuk e kam takuar. Paratë ja kam dhënë një avokati në Greqi, për vete 300 euro kam mbajtur”, thotë Manjola.
Gazetarët shkojnë më tej dhe i kërkojnë numrin e avokatit grek, premtim i cili edhe pse u dha nga Manjola se do ua niste gazetarëve, nuk e mbajti.
Përkundrazi në telefonatën e dytë me gazetarët, i kërcënoi ata duke ju thënë se nëse e transmetojnë temën do i kallëzonte në Prokurori.
“Prisni 10 ditë se do shkoj në Athinë dhe do ja kthej paratë, mos ma prishni imazhin. Mos e jepni temën, përndryshe do ju kallëzoj dhe ju në Prokurori”, thotë Thanasko.
Pas këtyre telefonatave Manjola ka kërcënuar dhe qytetarin që e denoncoi duke i thënë se do e fusë në burg për abuzim seksual, sepse ai i ka vajtur poshtë shtëpisë dhe i ka hedhur fjalë. Ndërkohë që denoncuesi ka kërkuar vetëm paratë e veta t’i riktheheshin./TCH
Lini një Përgjigje