TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Janar 2024, 08:13

Marrëveshja Rama-Meloni për emigrantët, Gjykata Kushtetuese shqyrton sot padinë e opozitës

Shkruar nga Pamfleti
Marrëveshja Rama-Meloni për emigrantët, Gjykata Kushtetuese
Edi Rama dhe Giogia Meloni

Sot zhvillohet në Kushtetuese seanca kundër Marrëveshjes me Italinë për emigrantët. 

Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë sot seancën, ku po shqyrtojë padinë e 30 deputetëve të opozitës kundër Marrëveshjes me Italinë për emigrantët, të cilët e konsiderojnë vendimin anti-kushtetues.

Shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, i cili ishte parashikuar që të zhvillohej më 24 janar, u shty, pasi në datën 23 janar, deputetët e grupimit Berisha-Bardhi, dorëzuan kërkesën edhe për disa prova shtesë lidhur me marrëveshjen.

Ndërsa më datë 18 janar, kur edhe u zhvillua seanca e dytë, pas marrjes në shqyrtim me 13 dhjetor, seanca me dyer të mbyllura në Gjykatën Kushtetuese u shty pasi 'Kushtetuesja' i kërkoi qeverisë si provë Traktatin e Miqësisë me Italinë në vitin 1995. 

Nga ana tjetër Dhoma e Deputetëve në parlamentin italian i dha dritën jeshile marrëveshjes.

Me 155 vota pro dhe 115 kundër deputetët italianë kaluan projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, ndërsa fjala e fundit për ratifikim do t’i takojë Senatit.

Drafti për marrëveshjen për emigrantët, u miratua në qeverinë italiane në 5 dhjetor 2023 dhe u dërgua në parlamentin italian për miratim.

 Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.

edi rama giorgia meloni

Lini një Përgjigje