
Banorët e sektorit Rinia dhe Porto Romanos kanë dalë sot në protestë kundër magazinimit të kontenierëve me mbetje të rrezikshme pranë banesave të tyre.
Vendndodhja ku qëndrojnë kontenierët ruhet nga policia 24 orë në 24.
Banorët kërkojnë nga autoritetet që magazinimi i kontenierëve, që dyshohet se përmbajnë mbetje të rrezikshme, të bëhet në një zonë larg qendrave të banuara.
“Kemi 30 vjet që jetojmë këtu, është një zonë e ndotur, kemi pasur probleme me mbeturinat, kanë vdekur njerëzit nga tymrat që krijoheshin nga djegia e mbeturinave”, tha një banor.
Banori u shpreh se ndërsa në një anë ndodhet eco-park, në anën tjetër janë depozituar 102 kontenierët me mbetje të rrezikshme.
“Kemi frikë për jetën, kanë vdekur njerëz nga papastërtitë, nga plehrat, nga mbeturinat që digjeshin”, tha ai.
Kujtojmë që Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet mbi transportimin e ngarkesës me 816 ton që dyshohet të jetë me mbetje të rrezikshme pluhur nga filtrat e furrave të çelikut të kompanisë KURUM, të nisur më 4 korrik 2024 nga Porti i Durrësit e me destinacion final Tajlandën.
Sipas të dhënave 40 kontejnerë u ngarkuan në anijen Contship Voë më 4 korrik në portin e Durrësit të Shqipërisë. Kontejnerët u transferuan më pas në ‘Maersk Campton’ në Trieste dhe do të transferoheshin përsëri në një anije të Maersk në Singapor më 18 gusht. Anija ishte planifikuar të mbërrinte në portin Laem Chabang të Tajlandës më 20 gusht. Ndërkohë, një tjetër ngarkesë prej rreth 60 kontejnerësh, të cilat u nisën nga Durrësi dhe u ngarkuan në një tjetër anije të Maersk jashtë Shqipërisë, dhe do të mbërrinin në portin e Tajlandës më 22 gusht.
Alarmi për transportin e mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u dha nga Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), një organizatë eksperte në çështjet e drejtësisë mjedisore. Njëra nga anijet, “Compton”, fiku edhe sinjalin e GPS më 31 korrik, 1 ditë para se të afrohej në Cape Toën në Afrikën e Jugut. Zyrtarët tajlandezë deklaruan se nuk do t’i pranonin anijet në territorin e tyre dhe do ktheheshin mbrapsht.
Sipas Konventës së Bazelit, Traktati i Kombeve të Bashkuara që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme dhe të tjera, kontejnerët u riatdhesuan në vendin e origjinës, pra Shqipëri.
Lini një Përgjigje