Këtë të premte u mbajt seanca ndaj Laert Haxhiut në Apelin e Posaçëm, i dënuar me burgim të përjetshëm për “Masakrën e Lushnjes”.
Haxhiu ka apeluar vendimin e shkallës së parë që vendosi burg përjetë në mungesë për 32-vjeçarin, i akuzuar për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës si dhe për plagosjen e Marjus Xhepexhiu dhe të Bujar Turkut.
Seanca në Apelin e Posaçëm, për të dënuarin e burgim të përjetshëm për “Masakrën e Lushnjës”, Laert Haxhiu, është shtyrë për në datën 9 tetor ora 12:00.
E pranishme në sallë ishte prokurorja Doloreza Musabelli, ndërsa vjen për herë të parë në këtë seancë kreu i SPAK Altin Dumani.
Gjithashtu gjyqi u ndoq dhe nga babai i Haxhiut.
Laert Haxhiut ka të hapur edhe një dosje tjetër penale të bujshme si grup i strukturuar kriminal, në lidhje me organizimin e disa ngjarjeve të rënda ndër vite, si vrasje, vendosje eksplozivi, plagosje, grabkitje, shantazhe dhe të tjera, që është ende në proces hetimor nga ana e SPAK-ut.
Laert Haxhiu u ekstradua nga Greqia më 3 korrik 2024.
6 vite pas masakrës, Laert Haxhiu u arrestua në Greqi, në maj të 2023-shit. Haxhiu, kundërshtar i ish kreut të bandës së Lushnjës Aldo Bare, u dënua përjetë për masakrën e Lushnjës në vitin 2017, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi, mik i Bares, dhe Jurgen Hoxha. Ata u qëlluan me automatik me automatik në një lokal në qendër të Lushnjes, ndërsa pronari i lokalit dhe një kalimtar mbetën të plagosur aksidentalisht. Me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës janë dënuar më herët bashkëpunëtorët e Haxhiut, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.
Dy vjet pas “masakrës së Lushnjës” ndodhën edhe dy ekzekutime të tjera. Njëri dyshohet se lidhet me Laert Haxiun. Besnik Hida, daja i 23-vjeçarit Zamir Latifi i cili kërkonte të bënte drejtësi për atentatin ndaj nipit të vrarë nga Haxhiu u vra në një atentat mafioz në 2019-ën.
Laert Haxhiu u fundos përfundimisht pas dëshmisë së të penduarit Artan Tafani, i cili rrëfeu përfshirjen e të dyve, por edhe një grupi të madh personash në 16 ngjarje kriminale, mes të cilave 4 vrasje në Shqipëri dhe 2 të tjera në Greqi. Mes rrëfimit ishte dhe planifikimi i Haxhiut për të vrarë persona të drejtësisë, përfshirë prokuroren e SPAK, Doloreza Musabelliu, dhe atë të Lushnjës, Merita Selimi, për të cilat me urgjencë të madhe u mor vendimi për mbrojtjen e tyre.
Lufta mes bandave të Lushnjës ka nisur herët, pasi njerëz të Aldo Bares i dogjën shtëpinë xhaxhait të Laert Haxhiut, duke pasuar një seri vrasjesh.
Lini një Përgjigje