TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Qershor 2023, 17:18

Kushtetuesja i hap rrugë projektit “Rama- Alabbar” për portin e Durrësit, rrëzon padinë e opozitës

Shkruar nga Pamfleti
Kushtetuesja i hap rrugë projektit “Rama- Alabbar” për
Rama-Alabbar

Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë projektit “Rama-Alabbar” për Portin e  Durrësit. Qeveria ja u dha portin arabëve, por opozita e ankimoi në Kushtetuese, duke e cilësuar si antikushtetuese marrëveshjen e firmosur me qeverinë e Emirateve Arabe.

Gjykata u mblodh në seancë plenare dhe informon se e ka rrëzuar padinë, pa dhënë më shumë detaje. Brenda 30 ditëve do të zbardhet vendimi i plotë dhe aty do tregohen arsyet se përse Kushtetuesja e mori një vendim të tillë, vendim i cili duket që është një aferë e madhe korruptive. Në Durrës apartamentet janë shitur pa nisur fare ndërtimi.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, pasi mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen me nr. 7 (Nj) 2022 të Regjistrit Themeltar, me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve (36 deputetë) të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i ligjit nr. 145/2020, datë 03.12.2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”, si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 145/2020, datë 02.12.2020, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronjat “a” dhe “b” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe neneve 52, 52/a dhe 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash, vendosi:

1. Rrëzimin e kërkesës.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, njofton Kushtetuesja.

Shteti shqiptar do t’i japë investitorit privat më shumë se sa  812 600 m2 truall, ndërsa një pjesë e marrëveshjes me të është sekret nga qeveria. Aty pritet të ndërtohet një port jahtesh luksozë, ndërsa do të ndërtohen edhe rreth 13 mijë apartamente, shitje për të cilët ka filluar para ndërtimit.

Në muajin prill 2021, pak para zgjedhjeve parlamentare, u publikua projekti për ndërtimin e marinës së Durrësit.

Kompania Emaar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, mori përsipër të investonte 2 miliardë dollarë në transformimin e portit aktual, duke e kthyer atë në marinë. I fshehur pas shifrave të majme, ende nuk ka një projekt të detajuar apo studim fiziblititeti, që të jenë bërë publikë. Të vetmet të dhëna, që janë publike, janë disa pamje të bukura 3D, që tregojnë se çfarë pritet të ndodhë në zemër të qytetit të Durrësit.

Mësohet se kjo marrëveshje ka ngritur dyshime dhe te partnerët ndërkombëtarë. Vetë SHBA dhe NATO janë shqetësuar sepse aty ankoroheshin anijet luftarake. Qeveri tani synon të ndërtojë një port tregtar në Porto Romano. Ndërkohë BE ka shfaqur disa herë rezerva. Madje anuloi dhe grantin e dhënë për zhvillimin e zonës.

BE është në dijeni të marrëveshjes së përfunduar në nëntor të vitit të kaluar midis Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila përfshin një rizhvillim të madh të portit të Durrësit. BE u ka kërkuar autoriteteve shqiptare të japin sqarime në mënyrë që të vlerësojnë pajtueshmërinë e marrëveshjes me marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit midis BE dhe Shqipërisë”, ka deklaruar BE.

Tani nuk ka më asnjë pengesë që ky projekt korruptiv të realizohet.

 

porti i durresit kushtetuese

Lini një Përgjigje