TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Qershor 2023, 16:00

Kush e vrau Artan Santon? 9 vite nga vdekja e bankierit: roli i politikës, videoja e mistershme dhe heshtja e SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Kush e vrau Artan Santon? 9 vite nga vdekja e bankierit: roli i politikës,
Artan Santo dhe personat që e eliminuan

Në korridoret e politikës flitet se mund të ketë emra shumë të rëndësishëm, të cilët porositën vrasjen e Santos. Po ashtu është folur dhe për një video, e cila hedh dritë mbi vrasjen e bankierit...

Vrasja e bankierit Artan Santo vijon të mbetet një nga dosjet që tremb drejtësinë. Dje u bënë 9 vite nga krimi makabër që tronditi Tiranën dhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë të dyshuar apo të akuzuar.

Dy vite më parë ndodhi një lëvizje e fortë, pasi dosja u transferua nga Prokuroria e Tiranës te Prokuroria e Posaçme. Me këtë lëvizje u duk se kishte të dhëna mbi ata që porositën vrasjen. Mirëpo ajo dosje është mbuluar nga "pluhuri" dhe askush nuk guxon të shkojë te personat që e donin të vdekur Santon.

Prokuroria e Tiranës hetoi në 5 pista të ndryshme, por nuk u gjet asgjë. Pista më e besueshme ishte ajo se pas eliminimit të tij fshiheshin njerëz me pushtet. Santo në atë kohë ishte aksioner mediatik dhe drejtor banke.

Ata që e njihnin shpreheshin se Santo kishte ndihmuar shumë persona, që nga biznesmenë e deri te politikanë të ndryshëm. Kur ai u nda nga jeta nuk mbeti politikan pa reaguar. Të gjithë e njihnin dhe kishin pasur kontakte me të. Dyshimet janë se grupet kriminale kanë pasur lidhje me elemente të politikës.

Në korridoret e politikës flitet se mund të ketë emra shumë të rëndësishëm, të cilët porositën vrasjen e Santos për të fshehur skandalet financiare.

Po ashtu është folur edhe për një video, e cila hedh dritë mbi vrasjen e bankierit. Personi që ka qëlluar ndaj Santos dyshohet se është vrarë. Ai sot rezulton i zhdukur, por para se të vritej është torturuar dhe është filmuar.

Ai ka rrëfyer se kush ishte porositësi i vrasjes së Santos. Ajo video nuk dihet ku ndodhet, por thuhet se aty përmendet një politikan i rëndësishëm. Nëse kjo video ka shkuar në duart e SPAK, atëherë prokuroria është para provës së madhe. Për ekzistencën e kësaj videoje ka folur dhe gazetari investigativ Artan Hoxha, pak kohë më parë.

Personi që ka bërë qitjen me informacionin që kam unë, më pas është rrëmbyer dhe është zhdukur, është personazh që rezulton i përfshirë në seri ngjarjesh të rëndësishme në Shqipëri. Ka një variant që ky para se të ekzekutohej e zhdukej është filmuar me kamera, është torturuar për të treguar e pastaj është ekzekutuar e zhdukur kufoma, gjatë torturave ka treguar lidhur me 31 ngjarje”, ka thënë ai.

Edhe sot ka pasur një reagim nga Hoxha, i cili konfirmon se ata që shkrepën armën kanë vdekur.  “Sot u mbushën plot 9-vite nga vrasja mafioze bankierit Artan Santo në zemër të Bllokut… Sigurisht nuk prisja të gjendeshin porositësit apo organizatoret e atentatit, se ekzekutorët kanë mbaruar punë me kohë.  Inshallah, zoti u ka rregulluar një takim me Santon në botën e përtejme dhe sëpaku ta kenë sqaruar kush ishin “miqtë” që u kujdesën personalisht për fatin e tij”, shkruan ai.

Pak kohë më parë thuhet se ka folur dhe Nuredin Dumani për këtë dosje, mirëpo SPAK vijon të merret me drejtorë të administratës dhe policë të korruptuar dhe jo me politikanët që ndoshta kanë porositur vrasje. /Pamfleti

santo vrasje

Lini një Përgjigje