
Altin Dumani është takuar me Koordinatorin e Departamentit të Shtetit për Anti-Korrupsionin Global Richard Nephew. Ai është personi që ka në dorë listën e zezë të SHBA...
Prokurorët e SPAK më në krye Altin Dumanin kanë mbyllur vizitën një javore në SHBA. Ata kanë pasur takime të rëndësishme në shumë institucione, ku kanë marrë udhëzime dhe janë trajnuar për të shkuar te të paprekshmit. Ambasada e SHBA njofton se takimi i fundit i zhvilluar prej tyre ka qenë te DEA, ku është folur për trafikun e kokainës dhe luftën ndaj bandave.
Po ashtu, Altin Dumani është takuar me Koordinatorin e Departamentit të Shtetit për Anti-Korrupsionin Global, Richard Nephew. Ai është personi që ka në dorë listën e zezë të SHBA. Pra ai vendos për emrat që sanksionohen dhe po ashtu është personi që ka marrë përsipër të zbatojë strategjinë antikorrupsion të miratuar nga presidenti Biden.
“Zyrtarët e lartë të SPAK-ut përfunduan vizitën e tyre studimore në Uashington DC këtë javë së bashku me anëtarët e ekipit të Zyrës së Ambasadës për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit (OPDAT). Kreu i SPAK-ut Altin Dumani dhe anëtarët e delegacionit u takuan me Zëvendës Ndihmës Prokurorin e Përgjithshëm dhe Këshilltarin për Çështjet Ndërkombëtare Bruce C. Swartz, si dhe Koordinatorin e Departamentit të Shtetit për Anti-Korrupsionin Global Richard Nephew. Delegacioni u takua gjithashtu me Njësinë e Operacioneve Speciale të Administratës kundër Narkotikëve (DEA)”, njofton ambasada.
Vizita e prokurorëve është një mesazh shumë i fortë për politikën. Teksa Berisha i sulmon dhe i anatemon, ata kanë marrë mbështetje të madhe në Uashington. Dje ishin në FBI, teksa kanë pasur takime me zyrtarë shumë të lartë. Madje flitet se prokurorët do të vijnë dhe me dosje të gatshme nga përtej Atlantikut. Pyetja që shtohet tani është: Kush e ka radhën pas Berishës? /Pamfleti
Lini një Përgjigje