Sezoni turistik, siguria në shkolla dhe në rrugë, parandalimi i zjarrvënieve, performanca e strukturave policore, reagimi ndaj problematikave dhe ofrimi i një shërbimi sa më cilësor për qytetarët, si edhe goditja e çdo paligjshmërie, ishin në qendër të takimeve që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, zhvilloi me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Kukës, Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe strukturat kufitare në Dibër.
Gjatë këtyre takimeve, Drejtor Hita kërkoi fillimisht rritje të disiplinës në punë, performancë më të lartë të shërbimeve policore në terren, si dhe komunikim të vazhdueshëm me qytetarët dhe ndjekje dinamike të konflikteve apo shqetësimeve të ngritura prej tyre.
Ai vuri theksin edhe te lufta kundër armëmbajtjes pa leje, kapja e personave në kërkim, goditja e shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave, si dhe parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të hapura dhe të mbyllura. Po ashtu, Hita kërkoi prioritet në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, goditjen e lojërave të fatit, krimeve mjedisore, trafiqeve të paligjshme, krimeve ekonomike dhe atyre kufitare.
Një tjetër fokus i diskutimeve ishte siguria në shkolla, siguria rrugore dhe mbarëvajtja e sezonit turistik. Drejtori i Përgjithshëm kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat policore, me vëmendje të shtuar për sigurinë në shkolla deri në përfundim të vitit mësimor, si dhe shërbime të hapura dhe me agjentë të Policisë Kriminale për të goditur elementët kriminalë që tentojnë t’u afrohen ambienteve shkollore.
Përsa i përket sigurisë rrugore, Hita kërkoi monitorim intensiv me mjete inteligjente në të gjitha akset kombëtare, duke shmangur ndalesat e panevojshme dhe kontaktet verbale mes efektivëve të Policisë Rrugore dhe drejtuesve të mjeteve, ndërsa shkeljet të evidentohen dhe ndëshkohen përmes teknologjisë.
Në zonat urbane, Drejtori i Policisë kërkoi nga Policia Rrugore, patrullat e Përgjithshme dhe Forca “Shqiponja” masa të forta ndaj drejtuesve që parkojnë në vijat e bardha, mbi trotuare, në mënyrë të dyfishtë apo të trefishtë, duke penguar lëvizjen e qytetarëve dhe këmbësorëve. Ai kërkoi gjithashtu reagim të ashpër ndaj personave që kryejnë manovra të rrezikshme, xhirime gomash apo shkaktojnë zhurma përmes marmitave të modifikuara.
Siguria e turistëve ishte një tjetër çështje ku Drejtori i Përgjithshëm la porosi të veçanta për strukturat policore, ndërsa për Policinë Kufitare kërkoi shërbim më cilësor, shtim të sporteleve në raste fluksi dhe komunikim etik me çdo qytetar dhe turist, si dhe vigjilencë të shtuar për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.
Një tjetër problematikë ku u ndal Drejtori Hita ishte ajo e zjarrvënieve, fenomen që përsëritet çdo verë. Ai kërkoi nisjen e menjëhershme të punës në bashkëpunim me administratorët e njësive administrative, si dhe njoftimin e barinjve që mbajnë në përdorim territore të caktuara, për përgjegjësitë që mbajnë në rast zjarresh apo evidentimi të kultivimit të bimëve narkotike. Po ashtu, ai kërkoi identifikimin dhe monitorimin e personave që kanë shkaktuar zjarrvënie në vitet e kaluara.
Në përfundim të takimeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit theksoi se do të jetë në mbështetje të çdo punonjësi të ndershëm të Policisë, ndërsa paralajmëroi masa të ashpra ndaj kujtdo që abuzon me detyrën dhe besimin e qytetarëve.
Lini një Përgjigje