TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Maj 2026, 11:33

Zhbllokimi i kompanisë 'SORI-AL' që helmoi studentët, Prokuroria kërkon sqarime nga AKU-ja 

Shkruar nga Pamfleti
Zhbllokimi i kompanisë 'SORI-AL' që helmoi studentët,
Alma Tafani, pronare e 'Sori Al'

Prokuroria e Tiranës i ka dërguar një tjetër kërkesë zyrtare Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për të marrë sqarime mbi vendimin për rikthimin e aktivitetit të kompanisë “Sori-Al”, e cila furnizonte me ushqim Akademinë e Sigurisë.

Veprimi vjen pas rastit të helmimit të disa studentëve të akademisë, të cilët dyshohet se pësuan probleme shëndetësore pas konsumimit të ushqimit të ofruar nga kjo kompani.

Organi i akuzës po kërkon informacion mbi arsyet që çuan në zhbllokimin e aktivitetit të subjektit, pasi më herët ishte marrë masë për pezullimin e tij.

Në kuadër të hetimeve, prokuroria ka sekuestruar edhe kartelat mjekësore të 56 studentëve, të cilat i janë kaluar Institutit të Mjekësisë Ligjore për verifikime të mëtejshme. 

Bllokimi i kompanisë “SORI-AL”, e cila helmoi studentë e Akademisë së Sigurisë, zgjati vetëm 5 ditë.

Më 14 maj AKU njoftoi bllokimin e kompanisë, pasi  nga analizat e kryera në laboratorin e referencës ISUV rezultoi se tetë mostra ishin brenda normave të lejuara, ndërsa një mostër makarone, produkt i gatshëm i marrë në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë, rezultoi jokonforme për shkak të ngarkesës mbi normë me bakteret Escherichia coli dhe Staphylococcus koagulaze pozitive.

Por më 19 maj AKU doli me një tjetër njoftim. Sipas saj, pas kontrolleve që janë bërë për higjienën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, Sauk dhe brenda ambienteve të kuzhinës së Garnizonit, të Forcave te Armatosura, parametrat kanë rezultur normalë.

“Në vijim të njoftimeve të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në lidhje me ndjekjen e rastit të helmimit të kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, bëjnë  me dije se, AKU kreu procedurën e marrjes së mostrave  për higjienën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, Sauk dhe brenda ambienteve të kuzhinës së  Garnizonit, të Forcave te Armatosura. Pas analizimit të tyre pranë laboratorit të Referencës ISUV, informojmë që kanë rezultuar brenda normave të lejuara për treguesit e higjienës.

Referuar këtyre raport- provave është kryer procedura e inspektimit në adresat brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, Sauk, Tiranë dhe brenda ambienteve te Garnizonit, te Forcave te Armatosura, Tiranë. Në përfundim të procedurës AKU kreu zhbllokimin e  aktivitetit të subjektit SORI-AL, si dhe i la detyrë të kryejë analiza autokontrolli për produktin e gatshëm brenda ambienteve të Garnizonit të Forcave të Armatosura, në zbatim të kërkesave të legjislacionit në fuqi”, njoftoi AKU më 19 maj.

Kompania “SORI-AL”, në pronësi të Alma Tafanit, gruaja e Nikolin Jakës, siguronte kateringun me tre vakte për studentët e Akademisë së Sigurisë. Administratorja e kompanisë është shpallur në kërkim nga policia.

Ndërkohë, në lidhje me këtë çështje janë arrestuar kuzhinieri Kujtim Ballgjini dhe teknologia e ushqimit Kristjana Plaka, ndërsa një tjetër teknologe ushqimi po hetohet në gjendje të lirë.

Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të vitit 2025 kompania “SORI-AL” ka fituar 75 tendera publikë me një vlerë totale prej 4.2 miliardë lekësh. 

Rikujtojmë se disa ditë më parë në Prokurori është paraqitur për tu marrë në pyetje Ersid Hasanllari, ish-kreu i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për Tiranën, por edhe Flutura Polaci, drejtore e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor.

Të dy janë thirrur për të dhënë deklaratat e tyre para grupit hetimor. Dëshmitë e tyre pritet të hedhin më shumë dritë mbi helmimin masiv të studentëve të akademisë së sigurisë, ndërsa pas ngjarjes AKU bllokoi aktivitetin e kompanisë si dhe e gjobiti atë me 1.5 milionë lekë për ushqim të pasigurt dhe kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare.

Hetimet pritet të hedhin dritë mbi mënyrën se si kompania “Sori-Al” ka fituar tenderin, por edhe për atë se si operon në kushtet kur nuk plotësonte kushtet higjeno-sanitare. Kjo për faktin se helmimi i 6 majit 2026 të studentëve të akademisë së sigurisë është rasti i 3-të që ndodh me të njëjtën kompani, që furnizon gjithashtu me ushqime një seri çerdhesh dhe qendra spitalore.

kompania sori-al alma tafani helmimi i studenteve te akademise se sigurise aku

Lini një Përgjigje