TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Maj 2026, 11:57

640 mijë euro në Shqipëri dhe 400 mijë në Itali, prokurori i Barit: Paratë e drogës po transferohen në vendin tuaj për pastrim

Shkruar nga Pamfleti
640 mijë euro në Shqipëri dhe 400 mijë në Itali,
Konferenca mes Italisë dhe Shqipërisë

Detaje të reja janë bërë publike nga kryeprokurori i Barit, Giuseppe Gatti gjatë konferencës së përbashkët me drejtuesin e SPAK, Klodian Braho, në lidhje me operacionin e përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe Antimafias Italiane kundër një grupi kriminal që vepronte në të dy vendet.

Sipas prokurorit italian, hetimet kanë çuar në sekuestrimin e rreth 1 milion eurove cash brenda një periudhe gjashtëmujore, para të cilat dyshohet se ishin destinuar për t’u transportuar në Shqipëri dhe për t’u pastruar përmes aktiviteteve të ndryshme.

Ai bëri të ditur se 640 mijë euro janë sekuestruar në territorin shqiptar mbi bazën e indicieve hetimore të DIA-s italiane, ndërsa rreth 400 mijë euro të tjera janë bllokuar në Itali, teksa dyshohej se do të kalonin Adriatikun drejt Shqipërisë.

Sipas kryeprokurorit të Barit, këto lëvizje financiare tregojnë qartë se trafiku ndërkombëtar i narkotikëve vazhdon të gjenerojë fitime të mëdha për organizatat kriminale. Ai theksoi se grupet kriminale po zhvendosin investimet dhe aktivitetet e pastrimit të parave drejt vendeve ku është më e lehtë të depozitohen dhe të legalizohen fondet e paligjshme.

Prokurori italian nënvizoi gjithashtu se goditjet e vazhdueshme të drejtësisë italiane ndaj pasurive kriminale kanë sjellë ulje të investimeve të krimit në Itali, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e parave po tenton të zhvendoset jashtë vendit, përfshirë edhe në Shqipëri.

Ai foli edhe për rritjen e rolit të grupeve kriminale shqiptare në trafikun ndërkombëtar të drogës, sidomos në lidhje me hyrjen e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt Europës. Sipas tij, krahas trafikut të drogës, një shqetësim serioz mbetet edhe pastrimi i parave që burojnë nga këto aktivitete kriminale.

Kryeprokurori italian theksoi se bashkëpunimi mes SPAK dhe autoriteteve italiane do të vijojë dhe do të forcohet më tej, me fokus goditjen e pasurive të paligjshme dhe çmontimin e rrjeteve kriminale që operojnë mes dy vendeve.

“Në këtë hetim kemi sekuestruar brenda rreth gjashtë muajsh një milion euro cash të destinuara për në Shqipëri. Kur them të destinuara për në Shqipëri, kam parasysh 640 mijë euro të sekuestruara në Shqipëri mbi bazën e indicieve hetimore të DIA-s, si edhe rreth 400 mijë euro të tjera të sekuestruara këtu në Itali, por gati për të kaluar Adriatikun.

Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se tregtia e lëndëve narkotike gjeneron para, gjeneron shumë para dhe vazhdon të gjenerojë shumë para.

Do të thotë gjithashtu se, nga statistikat që kemi sepse marrim komunikime nga forcat e tjera të policisë investimet në Itali po reduktohen, sepse natyrisht goditja e magjistraturës ndaj pasurive të mëdha kriminale është shumë e fortë, sidomos në këtë distrikt, falë Prokurorisë së Barit.

Por kjo do të thotë edhe se forcimi progresiv i kriminalitetit shqiptar në këtë sektor po sjell gjithashtu lëvizje të mëdha të pastrimit të parave drejt jashtë shtetit. Është e qartë që paratë shkojnë aty ku është më e lehtë të depozitohen dhe të pastrohen.

Në Shqipëri, në këtë moment Vladimir, më thuaj nëse nuk është kështu përkrah emergjencës së trafikut të madh të narkotikëve që vijnë edhe nga vendet e Amerikës Latine, ekziston edhe alarmi për pastrimin e parave.

Ne synojmë të vazhdojmë në këtë drejtim, të forcojmë bashkëpunimin dhe koordinimin tonë gjyqësor. Dhe në këtë kuadër paraqitemi gjithmonë si bashkëpunëtorë seriozë, në mënyrë që të rindërtohen pasuritë e mëdha të paligjshme”, tha prokurori.

Lini një Përgjigje