
GJKKO ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje për një ish-deputet, si dhe ish-kandidatin për kryebashkiak të Rrogozhinës, por edhe 3 persona të tjerë të përfshirë në dosjen e SPAK.
Më konkretisht bëhet fjalë për ish-deputetin demokrat Engjëll Cara, ish-kandidatin për Kryebashkiak Shkëlqim Hoxha (PD) si dhe për shtetasit Limon Shala, Fatmir Thaçi dhe Florant Saraçi.
Gjykata caktoi datën 2 dhjetor për të dëgjuar pretencën e prokurorisë.
Hetimet treguan se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë siguruar dhe ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm, të dokumentuara në 64 raste, me qëllim që të votonin në favor të kandidatit Shkëlqim Hoxha, në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë.
Sipas SPAK, shtetasit Engjell Cara, Limon Shala, Fatmir Thaçi dhe Florant Saraçi janë vënë nën akuzë për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim dhe në më shumë se një rast, bazuar në nenet 328, 25 dhe 50/h të Kodit Penal.
Ndërkohë, Shkëlqim Hoxha, ish-kandidat për Bashkinë Rrogozhinë nga radhët e Partisë Demokratike, akuzohet për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, në bazë të nenit 300 të Kodit Penal.
Nga hetimet ka rezultuar se të pandehurit kanë siguruar dhe ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm në të paktën 64 raste, me qëllim që ata të merrnin pjesë në votime dhe të votonin në favor të kandidatit Shkëlqim Hoxha.
SPAK thekson se vetë Hoxha ka qenë në dijeni të kësaj skeme, duke ditur që Fatmir Thaçi dhe Limon Shala ishin të përfshirë drejtpërdrejt në ofrimin e biletave për votuesit, por nuk e ka kallëzuar veprimtarinë tek autoritetet, duke shkelur ligjin.
Çështja penale nr. 161/2023 është bashkuar me çështjen nr. 162/2023, duke u trajtuar si një procedim i vetëm për shkak të lidhjes mes fakteve dhe personave të përfshirë.
Hetimi është nisur mbi bazën e referimeve nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, që sinjalizuan shkelje të mundshme gjatë procesit zgjedhor të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë.
Lini një Përgjigje