SPAK ka thirrur ish-ministrin e Financave Shkëlqim Canin si dëshmitar për koncesionin e sterilizimit. Mësohet se ish-ministri do të pyetet në lidhje me këtë koncesion që ka çuar disa persona në pranga.
Në 24 orët e fundit janë firmosur nga SPAK tetë urdhër-arreste për ish-zyrtarë të implikuar në koncesionin e sterilizimit, me vlerë 100 milion euro. Ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodjan Rjepaj ka rënë në pranga, dhe po ashtu edhe biznesmeni Ilir Rrapaj që ka marrë këtë koncesion dhe që akuzohet për mashtrim.
Arrest shtëpie është vendosur për Saimir Kadiun drejtor ekonomik në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike në Ministrinë e Shëndetësisë.
Kirurgu Arben Gjata, shef Kirurgjie dhe rektor i Universitetit të Mjekësisë është në detyrim paraqitjeje. E njëjta masë është vendosur për Naile Ajazin, Genc Byrazerin dhe Petro Mersinin, ish-drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë. Akuzat që rëndojnë mbi ta, janë falsifikim dhe shpërdorim detyre.
Si nisën hetimet?
I pari që u mor në pyetje nga prokurorët ishte anëtari e Komisionit të Koncesionit, Saimir Kadiu, si dhe më pas anëtarët e Komisionit të Tenderit. Procedura për sterilizimin e seteve kirurgjikale është dosja e parë e SPAK edhe është nën hetim prej 3 vitesh.
Kallëzimi u bë nga përfaqësues të "Nismës Thurje", të cilët kanë denoncuar penalisht zyrtarët e përfshirë në dhënien me koncesion të procesit të sterilizimit. Ata kanë kërkuar hetimin e zyrtarëve duke nisur nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, të cilët sipas tyre kanë abuzuar me buxhetin e shtetit.
Lini një Përgjigje