
Pas denoncimeve në media, por edhe ankesave publike të noterëve për bllokimin e punës në Kadastër, ka reaguar Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Kryetari i KLSH-së Arben Shehu ka urdhëruar dërgimin e menjëhershëm të një ekipi kontrolli për të nisur auditimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
“Duke marrë masa të menjëherëshme për të hetuar dhe korrigjuar problemet në sistemin e shërbimeve online në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, KLSH vlerëson si emergjencë shqetësimin e ngritur nga mediat”, thonë burime zyrtare nga KLSH.
Kolapsi që ka shkaktuar Kadastra digjitale ka prekur më tepër tregun e pasurive të patundshme. Prej më shumë së një muaji transaksionet janë bllokuar, pasi kadastra nuk shqyrton aplikimet. Edhe në rastet kur shqyrtohen, afatet janë trefishuar.
Mirëpo ky realitet shqetësues konfirmohet nga edhe shifrat e aplikimeve nga zyrat e noterëve, si hallka kryesore mes qytetarit dhe kadastrës. “Mund t’ju konfirmojë që nga data 1 korrik e deri në 10 gusht janë kryer 5655 aplikime, por vetëm 1300 prej tyre kanë marrë përgjigje. Shifrat nuk janë pozitive, por ne themi se jemi në fazën e parë të këtij proces dhe shpresojmë se situata do të ndryshojë në vazhdim. Ndërkohë që ka një ecuri më pozitive aplikimet me procedurë të përshpejtuar, të cilat kushtojë edhe më shumë”, kanë deklaruar nga Dhoma e Noterisë.
Një ditë më parë, kryetarja e Kadastrës, Dallëndryshe Bici ka pranuar problemet me kalimin e shërbimeve online. Javët e fundit ka pasur ankesa se qytetarët nuk po marrin dot shërbim online, pasi sistemi i Kadastrës nuk punon si duhet.
Pas shumë akuzave, ka reaguar Dallëndyshe Bici, e cila sulmon kritikët dhe mediat. Ajo pranon që ka probleme, teksa nuk ka kursyer as noterët.
“U bë kaq javë që Kadastra është nën sulme të vazhdueshme. Nga grupe interesi që hapur, apo fshehur, me arsye, apo jo, bëjnë çmos të përlyejnë fytyrën e re të ASHK, atë ku mitmarrja dhe korrupsioni nuk janë fjala e ditës, e ku zyrtarët si shumica e qytetarëve të këtij vendi duhet të presin normalisht pagën në fund të muajit, e meqë nuk janë mësuar kështu, dorëhiqen.
Pse janë trazuar noterët?! Ata që për kaq vite, as nuk kanë folur ndonjëherë për vonesa, për atë stokun e aplikimeve disa vjeçare, për të drejtat e qytetarëve. Pse nisën të kenë ndenja karshi halleve të qytetarëve tani që prej disa javësh në ASHK ka nisur të procesi i ri i punës pas riinxhinierizimit të sistemit? Mos vallë kanë humbur burimet e tyre dhe kanë mbetur si peshku në zall?! Do flasim sërish për ta. Shumë shpejt”, shprehej ajo.
Lini një Përgjigje