
Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), për autorizimin e Kuvendit për masë arresti ndaj Sali Berishës nën akuzën e korrupsionit pasiv lidhur me privatizimin e kompleksit 'Partizani', ka qenë në qendër të zhvillimeve politike në vend gjatë ditës së sotme.
Për të folur mbi këtë kërkesë, i ftuar në “Frontline Intervieë” ka qenë juristi Romeo Kara. Duke komentuar faktorët që e sollën këtë kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Kara tha se Berisha nuk u la rrugë tjetër organeve të drejtësisë pasi nuk po zbatonte vendimin e gjykatës për “detyrim paraqitje”.
Teksa foli për masën e arrestit që mund të caktohet ndaj Berishës, Kara tha se nëse i caktohet ‘arrest shtëpiak’ dhe ish-kryeministri vijon të cenoje integritetin e procesit, atëherë do të vijohet me masën ‘arrest me burg’ ndaj tij.
“Shkaku që u arrit në këtë masë, ka qenë refuzimi i hershëm i Berishës duke mos zbatuar vendimin e gjykatës nuk i ka lënë organeve të drejtësisë asnjë rrugë tjetër veçse të shkojnë në masën e fundit. Besoj do fillojë kontrolli i banesës. Ai e rëndoi vetë masën. Nëse do kemi një masë me arrest shtëpie dhe personi në fjalë do përpiqet të përdorë politikën kundër procesit, nuk është çudi të kemi arrest me burg. Nëse ai kërkon që edhe duke qenë në shtëpi të cenojë integritetin e procesit nuk është çudi që t’i ashpërsohet masa dhe t’i caktohet arrest me burg”, tha Kara.
Lini një Përgjigje