Zanafilla duket se lidhet me një kallëzim që kancelari i Gjykatës së Tiranës ka bërë në prokurori për një prokuror
Një tjetër gjyqtare është kërcënuar me jetë në sistemin e drejtësisë. Mësohet se gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Arnisa Këlliçi i është drejtuar me një shkresë Këshillit të lartë gjyqësor, ku kërkon mbrojtje.
Në adresë të saj është dërguar një letër kërcënuese me shkrim dore.
“E dashur Arnisa.
Keni dy djem ….. dhe ….. Mendoni për ta!
Si mund të rroni ju, e jo ata e kjo është e vërtetë.
Me respekt”, thuhet në letër.

Zanafilla duket se lidhet me një kallëzim që kancelari i Gjykatës së Tiranës ka bërë në prokurori për një prokuror. Vetë gjyqtarja shprehet se nuk mundtë vërtetojë vërtetësinë e letrës, por kërkon të merren masa. Mësohet se letra do i nënshtrohet ekspertizës shkencore.
“Të nderuar!
Para pak ditësh më është bërë me dije nga Kancelari i kësaj Gjykate që kundrejt meje, gjyqtares Amisa Këlliçi, ka patur një kërcënim me jetë.
Për këtë fakt unë nuk kam prova, por më është bërë me dije se ka një kallëzim të depozituar nga ana e Kancelarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Sot më datë 20.01.2024, më ka ardhur një letër kërcënuese, që me aq sa mund të deshifroj përmban kërcënime për mua, fëmijët e mi dhe familjen time.
Unë nuk mund të atestoj në asnjë moment për vërtetësinë e kësaj letre.
Thënë kjo, për çdo eventualitet, unë kërkoj një mbrojtje të posaçme, për aq sa ju e shihni të nevojshme”, thuhet në kërkesën drejtuar KLGJ.

Incidenti i rëndë dyshohet të ketë ndodhur pak ditë më parë, kur kancelari është telefonuar pas mesnate disa herë nga një prokuror dhe në kushtet kur kancelari se ka ngritur telefonin, ai ka nisur ta kërcënojë përmes mesazheve.
Ndodhur përpara një situate të tillë, kancelari e ka telefonuar prokurorin mbrapsht, për të kuptuar arsyet se përse ai i dërgonte mesazhe të tilla, kërcënuese dhe fyese.
Burimet konfirmojnë se përmes celularit të bashkëshortes, ai e ka regjistruar telefonatën kërcënuese me prokurorin. Në bisedë e sipër, prokurori ka përfshirë edhe emrin e gjyqtares, duke e kërcënuar po ashtu se do ta vriste.
Lini një Përgjigje