
Gazetarja Klodiana Lala ka folur në lidhje me paraqitjen e deputetit të PD Belind Këlliçi ditën e sotme në SPAK.
Sipas saj, Këlliçi u paraqit në kuadër të një hetimi pasuror që lidhet me dosjen “Partizani” dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Lala shtoi se hetimet e SPAK po zhvillohen ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjarëve të tij.
Ajo sqaron se çdo person i pandehur për korrupsion i nënshtrohet verifikimit pasuror, ndërsa në këtë kuadër, hetimet kanë shtrirje edhe te aktivitetet politike të lidhura me procesin e Rithemelimit të Partisë Demokratike.
“Deputeti Këlliçi është marrë në pyetje nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) lidhur me organizimin dhe financimin e një aktiviteti politik, konkretisht Kuvendin Kombëtar të Rithemelimit të PD-së, të mbajtur më 11 dhjetor 2021. Ky aktivitet përkoi me përplasjen mes Sali Berishës dhe ish-kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, për çështjen e vulës së partisë.
Këlliçi është pyetur mbi mënyrën e organizimit të Kuvendit, burimet e financimit dhe nëse këto janë kryer në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në kuadër të të njëjtit hetim, pritet që në SPAK të paraqiten edhe deputetët Flamur Noka dhe Albana Vokshi”, tha Klodiana Lala për “News 24”.
Sipas gazetares, mbetet për t’u parë nëse ky proces hetimor do të çojë në zhvillime apo rezultate të reja në vijim.
Lini një Përgjigje