Komisioni Europian kritikon ashpër performancën e ILDKP, duke denoncuar mungesën e aksesit publik, kontrollin sipërfaqësor të pasurive dhe aftësinë minimale për të zbuluar konfliktin e interesit.
Komisioni Europian i ka dhënë një goditje shumë të fortë Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, i drejtuar nga Evgjeni Bashari.
Në raportin për sundimin e ligjit në Shqipëri (2025), në vend që të shërbejë si instrument kyç për transparencën, ILDKP kritikohet për mungesë efektiviteti dhe mbyllje hermetike.
KE ndalet te ajo që ne kemi denoncuar prej vitesh. Ky institucion ka marrë miliona nga taksat e qytetarëve për të bërë publike deklaratat, por nuk ka bërë asgjë.
Sipas raportit, publikimi i deklaratave të pasurisë nuk është i garantuar për publikun, por kërkon autorizim nga vetë ILDKP, duke kufizuar aksesin e mediave dhe publikut.
Një tjetër kritikë e drejtpërdrejtë ka të bëjë me kapacitetet hetimore të institucionit. “ILDKP vazhdon të verifikojë vetëm një përqindje të vogël të deklaratave dhe nuk e përdor sa duhet analizën e riskut për të orientuar kontrollet”, thekson raporti. Kjo do të thotë se shumica e zyrtarëve mbeten jashtë kontrollit të vërtetë, ndërsa përzgjedhja mbetet arbitrare apo formale.
Në aspektin e konfliktit të interesit, situata është edhe më e errët: “Institucioni nuk ka identifikuar asnjë rast të konfliktit të interesit dhe nuk ka ndjekur asnjë hetim proaktiv në vitin 2024”. Kjo ngre pikëpyetje serioze përse ekziston ky institucion dhe sa i pavarur është ai në ushtrimin e mandatit të tij.
Për më tepër, Komisioni vëren mungesën e rregullave të qarta për deklarimin e dhuratave që marrin zyrtarët e lartë, dhe vonesa në plotësimin e planit të veprimit për etikën dhe integritetin në administratën publike.
“Mbeten mangësi sa i përket efektivitetit të verifikimeve të deklaratave të pasurisë dhe interesave nga ILDKP, përfshirë profilizimin e rasteve me rrezik të lartë. Deklaratat e pasurisë dhe interesave vijojnë të verifikohen nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKP), por ato mbeten të papublikuara, me akses të mundshëm vetëm me kërkesë, çka përbën një mangësi.
Në vitin 2024, ILDKP kreu verifikime të plota për 211 kandidatë për organet e drejtësisë dhe 35 zyrtarë të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. ILDKP ka miratuar dhe realizuar kontrolle të plota/periodike për 817 subjekte gjatë vitit 2024, ka vendosur 101 gjoba dhe ka referuar 23 raste penale ose të tjera tek agjencitë ligjzbatuese, përfshirë një rast te SPAK.
Nuk është shënuar përparim në lidhje me efektivitetin e verifikimeve dhe duken të nevojshme masa të mëtejshme për të verifikuar pasuritë që mund të jenë fshehur përmes entiteteve private ose personave të ndërmjetëm”, thekson raporti .
Kjo është një panoramë e qartë e një institucioni të paralizuar, që i shërben më shumë mbrojtjes së status quo-së sesa kontrollit real të zyrtarëve. Në një vend ku korrupsioni i lartë vazhdon të jetë i paprekshëm, raporti i BE-së bën të qartë: pa një ILDKP funksionale, nuk mund të ketë as llogaridhënie, as drejtësi, as integrim europian. /Pamfleti
Lini një Përgjigje