
Kampi i Gjadrit është shkretuar. Kanë mbetur vetëm 7 punonjësit e fundit të kompanisë Medihospes që merren me administrimin dhe pastrimin.
Kreu i grupit AVS në komisionin e Çështjeve Kushtetuese, Filiberto Zaratti e ka cilësuar këtë fakt kapitullin e fundit të turpit shtetëror të Melonit.
“Me rikthimin e operatorëve të organit drejtues të qendrave italiane në Shqipëri, jemi në kapitullin e fundit të një turpi shtetëror. Qeveria Meloni, ministri i Brendshëm Piantedosi, të gjithë ata që mburreshin se kishin gjetur një zgjidhje për çështjen e emigrantëve, tani duhet të përgjigjen për paratë e shpërdoruara, për budallallëkun ndërkombëtar dhe për sensin e humbur të shtetit”, është shprehur ai.
“Mund të mos jetë lamtumirë, por lamtumirë Shqipërisë. Shëngjini dhe Gjadri bëjnë gati valixhet. Të gjithë punonjësit socialë të Medihospes, kooperativa që menaxhon qendrat e ndalimit dhe riatdhesimit të emigrantëve, do të kthehen nesër në Itali.”- kështu e nis artikullin “La Repubblica”.
“Në anën tjetër të Adriatikut kanë mbetur vetëm disa shqiptarë që kujdesen për shërbimin shëndetësor dhe pastrimin, si dhe shtatë italianë: drejtori dhe disa punonjës administrative. Askush nuk është aty për të menaxhuar emigrantët. Dhe, në fakt, emigrantë nuk ka. Që nga 11 tetori, kur këto qendra u bënë funksionale, ato pothuajse nuk kanë pasur fare të strehuar”, - shkruan media italiane.
Po ashtu, La Repubblica njofton rikthimin e 50 policëve, duke reduktuar numrin e forcave italiane të sigurisë në këto qendra, nga 220 në 170.
Anija Libra e Marinës Ushtarake italiane është ndaluar përkohësisht, zyrtarisht për shkak të motit të keq. Ekuipazhi mund të rikthehet brenda 24 orësh, por për momentin nuk ka udhëtime të planifikuara.
Edhe funksionarët e komisioneve territoriale për mbrojtjen ndërkombëtare, që duhet të shqyrtonin rastet e emigrantëve, janë caktuar për detyra të tjera.
Shpresat e qeverisë janë tani të lidhura me ndryshimet ligjore që synojnë zëvendësimin e seksioneve të imigracionit në gjykatat italiane me Gjykatat e Apelit, duke shpresuar që gjyqtarët të vendosin ndryshe nga Gjykata Evropiane.
Gjithashtu, më 4 dhjetor pritet që Gjykata e Kasacionit të japë një vendim mbi ankesat e Ministrisë së Brendshme kundër mosmiratimit të ndalimeve në Shqipëri dhe kundër kompetencës së gjykatave për të kontrolluar listën e vendeve të sigurta.
Por gjyqtarët mund ta shtyjnë sërish çështjen në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, ku tashmë janë në pritje disa çështje të tjera. Edhe me procedurë urgjente, do të duheshin disa muaj të tjerë./ Përshtati "Pamfleti"
Lini një Përgjigje