
Përpara shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, grupi i prindërve organizatorë të protestës pas vrasjes së Martin Canit, ka mbajtur një komunikim për mediat. Gjatë fjalës së tij, një nga organizatorët, Migen Qiraxhi ka ripërsëritur kërkesat drejtuar qeverisë për një shkollim dinjitoz për të gjithë.
Ata kërkuan edhe njëherë dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.
Më tej, Qiraxhiu ka njoftuar protestën e radhës që do të mbahet në orën 17:00 të hënën teksa ka shtuar se nëse kërkesat e tyre nuk do të plotësohen s’do të largohen nga sheshi dhe madje do ta konsiderojnë dhe bojkotin e mësimit.
“Kjo dorëheqje do krijonte precedent dhe modelin e të mbajturit përgjegjësi. Kjo gjë nuk do të mjaftonte po do hapte një shteg drejt zgjidhjes së kësaj drame. Kësaj shkolle i kishim besuar edukimin e më të shtrenjtëve të saj ndërsa ata nuk arritën ti mbrojnë as jetën. Kjo ministre nuk ofron veç zgërdhirje dhe arrogancë, kur artikuluam kërkesat tona për shkollë më të mirë për të krijuar një shoqëri më të mirë nesër. Ne do jemi të hënën para ministrisë së Arsimit për të thënë se nuk e tolerojmë këtë model dhe nuk do të presim që një ngjarje tjetër të ndodhë. Nuk është rrufe në qiell të hapur por sinjal për secilin pre nesh që të reagojë sa nuk është vonë.
Kërkesat nuk janë tekat tona, por domosdoshmëri që të krijojmë një shkollë të denjë për fëmijët tanë dhe një shkollim dinjitoz për të gjithë brezat që do të vijnë. Ne si prindër zotohemi se nuk largohemi nga sheshi derisa kërkesat të plotësohen, nëse ministria dhe qeveria vijon me neglizhojmë konsiderojmë edhe bojkotin e mësimit si formë të reagimit tonë", thanë ata.
Kërkesat
-Shtimi i buxhetit në 5% të PBB
-Plotësimi i shkollave me infrastrukturë dhe staf mbështetës
-Rritja dhe plotësimi 100% i shkollave me psikologë, raporti 1 psikolog për çdo 200 nxënës
-Qëndrimi nxënësve në shkollë deri në 16:00, duke ofruar ushqim dhe mundësi për të bërë detyrat
-Zbatimi emergjent i rregullit për heqjen e telefonave në orën e mësimit
-Miratimi i legjislacionit për vendosjen e filtrave parandalues të përmbajtjeve me gjuhë urrejtje për fëmijët nën moshën 14 vjeç
-Krijimi i një sistemi të raportimit të rasteve ku të ndërlidhen të gjitha hallkat
-Çdo shkollë duhet të ketë oficerin e sigurisë
-Dorëheqje e menjëhershme e ministres së Arsimit.
Lini një Përgjigje