Dy operacionet e fundit të SPAK kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave kanë nxjerrë në pah mënyrën se si organizatat kriminale shqiptare kanë vepruar për vite me radhë në tregun global të kokainës.
Për këtë çështje gazetari Artan Hoxha thotë se vëmendja duhet të përqendrohet jo vetëm te aktiviteti i grupeve shqiptare jashtë vendit, por edhe te ndikimi që ato kanë brenda Shqipërisë.
“Shqetësimi ynë kryesor janë organizatat kriminale që veprojnë në Shqipëri. Ky është halli jonë. Janë organizatat që shesin lëndë narkotike te dyert e shkollave 9-vjeçare. Nëse grupet arrijnë të krijojnë varësi te fëmijët, ka siguruar tregun për 3-4 dekada, sepse ata janë përdoruesit. SHBA është tregu më i madh sot në botë i përdoruesve. Beteja nuk fitohet vetëm duke goditur narkotrafikantët”, deklaroi Hoxha në emisionin “Live në Mëngjes” në Vizion Plus.
Ai theksoi se goditjet e fundit lidhen me dosje hetimore të hapura prej vitesh dhe se Shqipëria po përpiqet të tregojë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar në kuadër të procesit të integrimit europian.
“Kohët e fundit Shqipëria po bën një lëvizje të madhe për të përfituar sa më shpejt nga anëtarësimi në BE. Një nga kriteret që ne jemi më mirë është kjo pjesë, ne po nxitojmë të godasim grupet që shesin narkotikë në vendet e BE-së. BE-ja është tregu më i pasur. Çdo organizatë kriminale do që të shesë në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Sipas gazetarit, një pjesë e rëndësishme e provave është siguruar përmes komunikimeve të zbuluara nga platforma Sky ECC, të cilat kanë ndihmuar autoritetet të rindërtojnë lidhjet mes personave të përfshirë në trafikun e drogës.
Hoxha u ndal edhe te emrat e përmendur në dosjet hetimore, duke kundërshtuar idenë se disa prej tyre mund të konsiderohen drejtuesit kryesorë të rrjeteve kriminale.
“Kryesisht këto hetime mbështeten te të dhënat e SKY. Ti përmende disa emra, ishte ai Aliu. Të gjithë ata që e njohin narkotrafikun kanë qeshur, sepse s’është ai kreu. S’mund të jetë Aliu para Dritan Gjikës që ka financuar 5 mln dollarë presidentin e Ekuadorit në zgjedhje. Ai ka 16 vjet që është i vendosur në Ekuador. Aty është Eldi Dizdari, nga doli Aliu?”, u shpreh ai.
Gazetari përmendi gjithashtu një element që, sipas tij, mbetet ende i pazbardhur në një prej hetimeve ndërkombëtare. Bëhet fjalë për një kod PIN të përmendur nga autoritetet belge, i cili mund të çojë te një figurë me rol më të rëndësishëm në trafikun e kokainës.
“Te hetimi i parë, aty përmendet gjatë gjithë kohës nga prokuroria belge, është një kod pin shumë interesant. Ende nuk është zbuluar se kush është ai. Është një shqiptar shumë më i rëndësishëm se këta. Pse? Sepse ka laborator kokaine në Kolumbi. Një njeri që ka laborator kokaine në Kolumbi ku ekzistojnë disa nga kartelet më të forta të planetit, e kupton në çfarë niveli ka vajtur?”, deklaroi Hoxha.
Ai sqaroi se Ekuadori shërben kryesisht si pikë tranziti për trafikun e kokainës, ndërsa prodhimi i saj zhvillohet në Kolumbi, Peru dhe Bolivi.
“Ekuadori në vetvete nuk është vend prodhues. Prodhimi i kokainës bëhet në Kolumbi, Bolivi, Peru. Ekuadori është vend tranziti. I madh ishte Dritan Gjika, por ky tjetri që ka dhe laboratorin dhe prodhon vetë, e imagjinoni në çfarë përmasa ka shkuar?”, tha ai.
Duke komentuar rolin e SPAK, Hoxha e cilësoi të rëndësishme bashkëpunimin ndërkombëtar që ka sjellë këto rezultate, ndërsa theksoi se hetimet lidhen me aktivitet kriminal të disa viteve më parë.
“SPAK në Shqipëri ka bërë vetëm zbardhjen dhe dërgimin e letërporosive. Ky është sukses. Këto janë hetime historike. Por jemi duke goditur deri në 2021. Nga ky vit, cilat janë grupet e reja?”, ngriti ai pyetjen.
Në fund, gazetari bëri dallimin mes kategorive të ndryshme të trafikantëve, duke theksuar se jo të gjithë personat e përfshirë në trafikun e drogës kanë të njëjtin profil kriminal.
“Të gjithë këta që janë goditur në dy aksionet e fundit nuk janë personazhe të ekspozuar ndaj ngjarjeve të rënda. Mes narkotrafikantëve ka një hierarki. Kemi ata që e shohin si biznes dhe kujdesen që mos bëjnë këto krimet e tjera, pastaj kemi trafikantët që përfshihen në krime më të rënda dhe kemi trafikantë të cilët bëjnë pastrime parash dhe janë përfshirë edhe në lidhjet politike. Shqiptarët ende nuk kanë një kartel, kanë aleanca”, përfundoi Hoxha.
Lini një Përgjigje