
Gazetari Artan Hoxha ka komentuar marrjen të pandehur nga SPAK të ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja. Hoxha theksoi se ky rast është një shembull i shpërdorimit të detyrës.
Ai shprehet se gjatë periudhës së viteve 2013-2017 në Durrës ka pasur shumë zhvillime që lidhen me zyrën e hipotekës që Çyrbja e ka drejtuar më herët, e cila ndodhet në një zonë me vijën bregdetare më të madhe në vend.
“Kjo ka tërhequr vëmendjen e krimit të organizuar, politikës dhe pushtetarëve. Ne kemi të bëjmë me shpërdorim detyre. Duhet të presim një implikim më të madh se sa shpërdorimi i detyrës. Dorëzimi i mandatit të Çyrbjes është diçka që duhet ta shohim”, tha Hoxha, teksa shtoi se problemi kryesor në Durrës mbetet pronësia.
Ai përmendi se zyrtarë të hipotekës në Durrës kanë marrë kërcënime, përfshirë raste kur kanë shkuar nga jashtë dhe u është vendosur pistoleta në kokë.
Duke iu referuar situatës, Hoxha përmendi një ngjarje kur një grup i fuqishëm nga Tirana i kanë shkuar Çyrbjes te banesa e tij në Shijak me 4 makina të blinduara, kur ai ishte drejtor i hipotekës.
“Një grup nga më të fuqishmit në Tiranë i kanë shkuar Çyrbes te banesa e tij në Shijak kur ishte drejtor i hipotekës. Ishin 4 makina të blinduara dhe e kanë thirrur poshtë shtëpisë”, u shpreh Hoxha për "News 24".
Lini një Përgjigje