
Politologu Ilir Kalemaj ka folur mbi deklaratat e forta të Metës ndaj Dumanit, tha që është e pafalshme për një politikan që ka pasur detyra të larta shtetërore që të sulmojë drejtësinë me mera të përveçëm.
Sipas Kalemajt, ish-Presidenti ose po përjeton kriza paniku, duke menduar se i është “prerë bileta” në raport me drejtësinë, ose është në një papërgjegjshmëri në kufijtë e marrëzisë politike.
“Z.Meta njihet për shpërthimet e herë pas hershme, nuk njihet si estet i gjuhës politike, nuk është edhe një ‘lapsus linguae’ ky shigjetim ndaj bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Të akuzosh Kryemadhin, Braimllarin, apo Vasilin që janë bashkëpunëtor të Ramës dhe po shesin z.Meta, nuk besoj as në Partinë e Lirisë as ndonjë tjetër që ta besojë këtë si fakt, sepse jo vetëm me verbin, por me akte, dosjen e inceneratorëve e kanë çuar ata në SPAK. Ngelet pjesa tjetër që a janë këta të shantazhueshëm në lidhje me çështjen e lobingjeve. Unë mendoj që sulmi i tij ndaj Dumanit s’ka asgjë personale në atë mes. Nuk duhet të personalizojmë institucionin. Për këtë arsye ambasada e SHBA, ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, delegacioni i Komisionit Europian dhe të tjerë kanë dalë si rrallë herë në sinkron, duke bërë hapur mbështetjen për KLP-në, dënimin e gjuhës së Metës. Z.Meta i cili e ka rithemeluar tri herë partinë, dhe tani po e rithemelon duke hequr nënkryetarin Braimllarin, sekretaren organizative Elona Guri, Petrit Vasilin, apo Monika Kryemadhin, që s’janë thjesht një çift politik, që rastisi të ishin në politikë. Këta e themeluan bashkë FRESH-in, këta themeluan bashkë PS-në, themeluan bashkë LSI-në, dhe PL-në, kjo shkon përtej personales dhe z.Meta është në një atak paniku si të thuash, sepse s’është aktor Hollivudi që të arrijë të inskenojë kaq bukur rolin e një të marri. Një burrë shteti, që ka pasur funksionet më të larta drejtuese s’i shkon që të flasë me këtë verb, me këtë gjuhë, sepse bën edhe xhiron e mediave ndërkombëtare dhe them ca njerëzish të papërgjegjshëm kemi pasur në krye. Z.Berisha kurrë s’i ka kaluar këto caqe. Meta të flasë me këtë gjuhë të një banditi rruge është anormale”, tha ai.
Sipas tij, për sa kohë ka hetime aktive, që ka një akuzë të ngritur, dhe gjykata thotë fjalën e fundit, të shantazhosh drejtësinë me emra të përveçëm nuk u falet atyre politikanëve që kanë pasur detyra të larta shtetërore.
“Orban mund të ketë ekseset e tij, por ka një peshë fjala e tij në gjithë Europën, është një person që flet institucionalisht, pritet në Shtëpinë e Bardhë. Ka të njëjtën moshë me z.Meta, a mund të krahasohen këta të dy?! Të flasësh si z.Meta, mua më duket ose krizë paniku, ataku, sepse mendon se të është prerë bileta, ose një lloj papërgjegjshmërie në kufijtë e marrëzisë politike”, shtoi ai.
Po ashtu tha se nuk beson se Altin Dumani ka shfaqur ndonjë ambicie politike për t’u bërë politikan. Po ashtu nuk ka pasur përfolje ndaj tij për çështje korruptive. Nuk është folur që është i afërt me mazhorancën, opozitën. “Ritmet e punës, raport-progreset, tregon që është bërë një punë që ka ardhur në rrije, jo vetëm për profilin e Dumanit, por edhe për faktin që është plotësuar BKH, numri i prokurorëve. A është mjaftueshëm kjo që është bërë? Nuk është mjaftueshëm, vet z.Dumani e ka pranuar. A do të përfshihet Dumani në politikë në të ardhmen? Nuk e dimë. Sot që flasim është spekulim të thuash se ai po e bën këtë gjë për t’u bërë ministër i Ramës”, shtoi ai.
Lini një Përgjigje