TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Qershor 2025, 12:37

Ish-prokurori Karanxha: SPAK marrëveshje politike, ka përplasje të brendshme kundër Altin Dumanit

Shkruar nga Pamfleti
Ish-prokurori Karanxha: SPAK marrëveshje politike, ka përplasje
Ervin Karanxha

Ish-prokurori dhe avokati i njohur Ervin Karanxha ka ngritur dyshime të forta mbi mënyrën e funksionimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke e cilësuar atë si një “marrëveshje politike”.

Në një intervistë në MCN Live, Karanxha deklaroi se brenda strukturës ka përplasje të brendshme dhe prokurorë që nuk janë dakord me drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani, gjë të cilën e kanë bërë të ditur në mënyrë të ligjshme dhe me shkrim.

“Ka shumë prokurorë që kanë pasur mendim kundër me Dumanin, e kanë lënë me shkrim. Ka forma ligjore si zgjidhen këto përplasje. Në çështjet në grup janë tre prokurorë, dhe mendimi i secilit është personal. Dumani, si drejtues, i bashkohet çështjeve në mbështetje të prokurorëve kur e gjykon të nevojshme”, u shpreh Karanxha.

I pyetur nëse ka ndërhyrje politike në SPAK, ai theksoi se prokurorët janë individualisht përgjegjës për dosjet që trajtojnë dhe se shpesh ndodh që çështje të mbeten pa u trajtuar për një kohë të gjatë. “Çdo prokuror ka dosjet e veta. Është i kapur apo jo, kjo është personale. Ka persona që edhe i lënë dosjet aty,” tha ai.

Në lidhje me funksionimin afatgjatë të institucionit, Karanxha ngre pyetjen nëse SPAK do të vijojë ekzistencën edhe pas përfundimit të mandatit të tij 9-vjeçar apo do të shkrihet si institucion. “Është një diskutim më vete nëse SPAK-u do vazhdojë 9 vjet dhe do shkrihet, apo do mbetet si Gjykatë e Posaçme. Duhet të përqendrohet vëmendja te 150 mijë dosje që janë stok,” shtoi ai.

Ai shtoi gjithashtu se nuk e sheh SPAK-un si një institucion të kapur, por nënvizoi sfidat e mëdha që ai ka në raport me politikën dhe me përballjen me krimin e organizuar.

“Nuk mendoj se është institucion i kapur, pavarësisht zgjedhshmërisë. Por kemi përplasje me Parlamentin. Rasti ‘Xhaçka’ është tipik – Gjykata i kërkon Kuvendit të shqyrtojë një çështje, por do ishte më mirë ta zgjidhte vetë,” përfundoi Karanxha.

ervin karanxha spak

Lini një Përgjigje