Vajza e presidentit Donald Trump, Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, kanë zhvilluar një vizitë private në qytetin bregdetar të Vlorës gjatë ditëve të fundit ndërsa të tjera foto janë bërë publike për mediat.
Mësohet se qëllimi i vizitës lidhet me investimet në sektorin e turizmit që ata do të bëjnë në bregdetin shqiptar.
Çifti ka vizituar ishullin e Sazanit, ku aktualisht është në fazë planifikimi ndërtimi i një resorti luksoz me pesë yje.
Gjithashtu, Ivanka Trump dhe Jared Kushner kanë qëndruar për disa orë edhe në zonën e Zvernecit, një tjetër pikë me potencial të lartë për zhvillim turistik. Edhe atje, raportohet se është në shqyrtim një tjetër projekt investimi në fushën e hotelerisë dhe shërbimeve turistike.
Vizita e çiftit amerikan u mbyll me një darkë private në zonën e Lungomares 2, në një ambient të rezervuar enkas për një grup të ngushtë personash. Masat e sigurisë dhe konfidencialitetit kanë qenë të larta, duke ruajtur karakterin jopublik të takimeve dhe lëvizjeve të tyre.
Në fotografinë që kanë shkrepur në bregdetin e Vlorës, çifti shfaqet në praninë e një prej kuzhinierëve që është edhe administrator i një subjekti në Lungomare.
Vizita e çiftit vjen në kohën kur mediat ndërkombëtare kanë rikthyer vëmendjen mbi projektin e paralajmëruar nga dhëndri i Trump, Jared Kushner për ndërtimin e një resorti ultra-luksoz në ishullin e Sazanit. Projekti, me një vlerë të parashikuar investimi prej 1.4 miliardë eurosh, synon ndërtimin e një marine turistike, rezidencash elitare, zonë gastronomike dhe akomodimi në një sipërfaqe prej 45 hektarësh.
Sazani, ish-bazë ushtarake me 562 hektarë, është nxjerrë tashmë nga përdorimi ushtarak në dhjetor të vitit të kaluar, duke hapur rrugë për zhvillimin turistik të zonës.
Lini një Përgjigje