
Ylli i kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa ndërroi jetë këtë të enjte në moshën 91-vjeçare duke lënë pas një pasuri të madhe në kinemanë dhe teatrin shqiptar.
Aktorja Yllka Mujo shprehet e trishtuar, teksa e quan një lajm të hidhur për të gjithë Shqipërinë.
“Një grua e shkëlqyer, një aktore e madhe, një nënë jashtëzakonisht e përkushtuar, një njeri jashtëzakonisht modest, një punëtore e palodhur. Nuk e di çfarë epitetesh mund t’i vësh një njeriu që ka bërë një emër kaq të madh qoftë në kinema qoftë në teatër. Margarita ishte gruaja më e bukur që ka pasur vendi, me tiparet e një njeriu perfekt”, shprehet Mujo për “Ora News”.
E pikëlluar nga humbja e Margaritës, Mujo thotë se: “Çfarë mund të them për Margaritën. Një lajm shumë i trishtuar edhe pse e dinim që nuk është në gjendje shumë të mirë, mirëpo shpresa gjithmonë na mbante që mund të ndodhë edhe çudia. Mirëpo nuk ndodhi. Nuk ndodhi dhe është shumë e trishtueshme në radhë të parë për familjen, për komunitetin e artistëve që e kemi njohur dhe kemi punuar me të, edhe për mbarë Shqipërinë”.
E pyetur nëse Margarita kishte ndonjë peng, aktorja rrëfen se: “Ajo iku nga kjo jetë e plotësuar, asnjë brengë nuk kishte”.
Lini një Përgjigje