
Nga ora 08:30, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, kanë nisur homazhet në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare, pas disa javësh i shtruar në gjendje të rëndë në spital.
Në hollin e Pallatit të Kongreseve, familjarët e ngushtë të liderit historik të socialistëve kanë pritur ngushëllimet e dhjetëra qytetarëve të ardhur dhe nga rrethet e vendit.
Nga ora 08:30 deri në 11:15 homazhet do të jenë publike, ku çdo qytetar mund t’I bëjë nderimet e fundit liderit historik të së majtës shqiptare.
Kurora me lule e buqeta janë vendosur në arkëmortin e ish-kryeministrit, ndërsa sic shihet në foto, në rreshtin e parë të pritjes së ngushëllimeve janë vendosur sipas radhës, bashkëshortja e ish-kryeministrit, Xhoana Nano, dy fëmijët e tij nga martesa me gruan e parë Rexhina Nano, djali i Xhoanës dhe ish-bashkëshortja Rexhina. Më pas shihen bashkëpunëtorë të ngushtë të tij.
Në homaxhet publike kanë zgjedhur të jenë edhe disa nga politikanët apo ish-bashkëpunëtorët e ngushtë të Fatos Nanos.
Arben Malaj, Elmaz Sherifi, Spartak Braho, ish-deputetë të PS-së, Erion Braçe, deputet i PS-së, por edhe Fatmir Mediu dhe Agron Duka, dhe deputeti demokrat, Arjan Ndoja, ishin ndër politikanët e parë që bënë homazhe në nderim të ish-Kryeministrit.

Trupi diplomatik shqiptar dhe personalitete të politikës, do të nderojnë figurën e Nanos në pjesën e dytë të ceremonisë.
Në përfundim të ceremonisë shtetërore do të jetë kryeministri Edi Rama, pasues i Fatos Nanos në drejtimin e Partisë Socialiste, që do të mbajë një fjalë e më pas dhe vetë bashkëshortja e Nanos, Xhoana, apo dhe djali Sokoli.
Fatos Nano do të përcillet për në banesën e fundit pas një ceremonie private familjare.
Fatos Nano ndërroi jetë mesditën e djeshme në moshën 73-vjeçare. Prej kohësh ai vuante nga probleme kronike respiratore ndërsa gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndjeshëm.
Tri herë kryeministër i Shqipërisë, Fatos Nano do të mbahet mend si një prej figurave më të rëndësishme të tranzicionit, si njeriu që reformoi Partinë Socialiste dhe një lider me vizion për të ardhmen e Shqipërisë.
Lini një Përgjigje