TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Shtator 2024, 13:09

Himara zyrtarisht me kryetar Bashkie, KQZ i jep mandatin Vangjel Tavos

Shkruar nga Pamfleti

Himara zyrtarisht me kryetar Bashkie, KQZ i jep mandatin Vangjel Tavos

Vangjel Tavo mori zyrtarisht mandatin nga Komisioni Shtetëtor i Zgjedhjeve, i cili i hapi rrugë edhe betimit të tij në Këshillin Bashkiak të Himarës.

Humbja e opozitës qe kërkonte përsëritje zgjedhjesh në çdo hallkë ankimore i dha dritën jeshile KQZ për të certifikuar fituesin e betejës së 4 gushtit.

“Vendos dhënien e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, Qarku Vlorë z. Vangjel Tavo, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë të datës 4 gusht 2024”, tha Celibashi.

Kundër vendimit të Komisionerit Celibashi, mund të bëhet ankimim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda tri ditësh.

Bashkia e Himarës u bë qendër e një konflikti politik që zgjati rreth 15 muaj. Gjithçka nisi në zgjedhjet vendore të 2023, ku dy ditë para zgjedhjeve, më 12 maj, kandidati i opozitës Fredi Beleri u arrestua për korrupsion zgjedhor.

Beleri doli nga burgu, por nuk e ushtroi detyrën e tij asnjë ditë, edhe pse bëri një betejë të gjatë ligjore për të marrë leje për t’u betuar, kërkesa e tij nuk u aprovua asnjëherë.

Në burg përfundoi edhe ish-kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro i cili po ashtu u arrestua më 23 mars të këtij viti për tjetërsimin e pronave në Himarë.

Dënimi i Fredi Belerit me 2 vite burg nga Apeli i GJKKO i hapi rrugë zgjidhjes së ngërçit në Bashkinë e Himarës, ndërsa KQZ i hoqi mandatin si kryebashkiak i Himarës.

Me dy kryetarë në burg, Bashkia e Himarës u drejtua fillimisht nga nënkryetarja Blerina Bala, e cila më pas u dorëhoq.

Vangjel Tavo ka vetëm një sigël në krah, atë të Partisë Socialiste, ndërsa rivali i tij Gjikuria, nën siglën e “Bashkë Fitojmë” të 10 partive opozitare, me në krye PD dhe PL, i propozuar dhe i mbështetur nga Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) dhe të organizata minoritare OMONIA.

Lini një Përgjigje